Dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të shtunën mbrëma në Skenderaj, pasi vetura zyrtare me të cilën po patrullonin u godit nga një veturë, drejtuesi i së cilës po bënte vozitje të rrezikshme.
Pas përplasjes, vetura e Policisë doli nga rruga dhe goditi një shtyllë elektrike, ndërsa shoferi i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes. Vetura e tij u gjet më pas e aksidentuar dhe e braktisur në fshatin Rezallë.
Rasti po hetohet nga Policia, ndërsa dy zyrtarët e lënduar janë liruar pas trajtimit mjekësor.
Njoftimi i plotë i policisë:
SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM/Skenderaj / 24.10.2026 – 21:45. Njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur në një veturë me targa vendore drejtuesi i së cilës bënte vozitje të rrezikshme. Gjatë përpjekjes për ta ndalur veturën, në lëvizje drejtuesi i veturës së dyshuar i panjohur ka goditur veturën e policisë, nxjerrë nga rruga e cila ka goditë një shtyllë elektrike. Si pasoj e rastit dy zyrtarë policor që kanë qenë në veturë zyrtare kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor fillimisht në QKMF Skenderaj, pastaj në Spitalin rajonal në Mitrovicë Jug dhe pas tretmanit janë liruar. Vetura e dyshuar është gjetur e aksidentuar dhe e braktisur në fshatin Rezallë. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin për të cilin është njoftuar prokurori.