Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mikel Arteta i reagon dëshirës së David Rayas për të luajtuar në La Liga

Mikel Arteta i reagon dëshirës së David Rayas për të luajtuar në La Liga

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka bërë shaka duke thënë se David Raya “duhet të luajë në Spanjë në një moment” të karrierës së tij, por vetëm në plazh, me shokët e tij.

Në fillim të kësaj jave, në një intervistë të gjerë për mediumin spanjoll “Marca”, Raya tha se “do të dëshironte shumë” të luante në La Liga, pasi u pyet për mundësinë e rikthimit në vendlindjen e tij.

“Po, do të dëshiroja shumë. Do të doja ta provoja La Ligën. Për momentin jam shumë i lumtur këtu te Arsenali, por sigurisht që do të doja ta përjetoja futbollin spanjoll”, tha ai.

Raya, kontrata e të cilit me Arsenalin skadon në qershor të vitit 2028, shtoi: “Mendoj se është një ligë shumë konkurruese. Ndoshta në të ardhmen mund të luaj për një klub spanjoll. Jam spanjoll dhe do të më pëlqente të luaja atje, kjo është e sigurt”.

Disa ditë më vonë, gjatë konferencës për shtyp para përballjes së Arsenalit me Evertonin në Premierligë, Mikel Arteta u pyet për komentet e portierit, teksa foli me mediat.

Spanjolli i minimizoi sugjerimet se portieri mund të largohet nga klubi. Madje, ai bëri një shaka të papritur lidhur me këtë situatë.

“Mendoj se David duhet të luajë në Spanjë në një moment… në plazh, me shokët e tij gjatë verës”, tha Arteta me një buzëqeshje në fytyrë. “Por gjatë viteve të ardhshme, ai duhet të luajë këtu për Arsenalin”, shtoi ai.

Portieri 31-vjeçar e përjetoi atë që mund të konsiderohet sezoni më i mirë i karrierës së tij gjatë viteve 2025-2026, duke e ndihmuar Arsenalin ta fitonte titullin e Premierligës për herë të parë pas 22 vjetësh.

Fituesi i çmimit “Golden Glove”, Raya, luajti gjithashtu një rol vendimtar në rrugëtimin e Arsenalit drejt finaleve të Carabao Cup dhe Ligës së Kampionëve.

Duke folur për formën e tij sezonin e kaluar, Raya tha: “Besoj se kam pasur një vit të përsosur. Ndoshta e vetmja gjë që më mungoi ishte pjesëmarrja në Kupën e Botës. Çdo vit që nga ardhja ime te Arsenali, kam vazhduar të përmirësohem dhe shpresoj që kjo të vazhdojë. Por vërtet besoj se ky ka qenë sezoni im më i mirë si profesionist, pasi e fitova Premierligën dhe luajta rol vendimtar në kampionat, në Ligën e Kampionëve dhe në Community Shield. Kam pasur ndikim të madh dhe kam fituar trofe”.

Sa i përket të ardhmes së afërt, Raya dëshiron ta ndihmojë Arsenalin ta mbrojë titullin e Premierligës dhe të fitojë edhe më shumë trofe.

“Dua t’i fitoj të gjithë trofetë”, shtoi ai. “Duam ta vendosim veten në mesin e favoritëve dhe ky është synimi ynë. Shpresoj që këtë vit të përmirësohemi në krahasim me sezonin e kaluar, duke e fituar Ligën e Kampionëve, por deri atëherë ka ende shumë rrugë për të bërë”, e mbylli ai