Elmedina Ballazhi ka reaguar publikisht në Facebook ndaj Rrustem Mustafës, të njohur si “Komandant Llastiku”, duke kundërshtuar pretendimet për interesa dhe përfshirje në “punë të shtetit”.
Ballazhi ka thënë se prej 14 vitesh punon në sektorin privat, është e diplomuar në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe studente e Juridikut në UP.
Ajo ka theksuar se asnjëherë nuk ka qenë e punësuar në institucionet shtetërore dhe as nuk është paguar nga ndonjë parti politike apo pushtet.
Në reagimin e saj, Ballazhi ka përmendur edhe babanë e saj, veteran të UÇK-së, duke thënë se familja i ka përballuar vetë shpenzimet gjatë sëmundjes së tij dhe se dokumenti i veteranit është lëshuar pas dy muajsh pritje.
Ballazhi i ka drejtuar Mustafës edhe disa pyetje për pretendimet lidhur me raportin e Albin Kurtit me UÇK-në, duke kërkuar të dhëna konkrete për zonën e luftës, njësinë, periudhën e shërbimit dhe dokumentet që do ta vërtetonin një gjë të tillë.
“Po kërkoj vetëm fakte, që jam paguar, nxirri, përndryshe shihemi në gjyq”, ka shkruar Ballazhi në reagimin e saj.
Ajo ka theksuar se UÇK-ja nuk është pronë e askujt dhe se historia e saj nuk duhet të përdoret për interesa të ditës politike.
“Jo sulme personale. Jo etiketime. Jo insinuata. Fakte”, ka përfunduar Ballazhi reagimin e saj, duke e mbyllur me mesazhin: “UÇK për jetë.”
Postimi: