Në organizim të Sindikatës së Policisë së Kosovës, në palestrën sportive “ Shani Nushi” në Gjakovë, në një aktivitet përkujtimor sportiv, janë nderuar 26 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës.
Krahas zyrtarëve më të lartë policorë, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe zv.ministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli. Ky i fundit gjatë fjalës së tij ka shprehur mirënjohjen më të thellë për punën dhe sakrificën e policëve të rënë dhe për familjarët e tyre.
“Sakrifica e tyre na përkujton se shërbimi në Policinë e Kosovës nuk është thjeshtë vetëm një profesion, por është një mision në shërbim të ligjit, të rendit, të sigurisë publike dhe të jetës së qytetarëve, prandaj lojërat tradicionale të Policisë Kosovës janë një shprehje respekti, mirënjohje dhe kulturë institucionale për ata që dhanë jetën në shërbim të vendit dhe qytetarëve të republikës sonë”, tha Enver Dugolli.
E në emër të Sindikatës së Policisë së Kosovës, pjesëtarëve policor dhe garuesve të sotëm iu është drejtuar kryetari i saj, Avdi Hoti.
“Të dashur kolegë, uniforma që mbani sot nuk është vetëm uniformë, ajo përfaqëson përgjegjësi, sakrificë, guxim dhe besim. Prandaj ta mbani me krenari dhe dinjitet sepse para nesh e mbajtën ata që sot nuk janë në jetë dhe dhanë jetën për Kosovën. Çdo garë dhe çdo duartrokitje sot duhet të jetë një shenjë respekti për kolegët tanë që sakrifikuan jetën e tyre për Kosovën”, tha Hoti.
“Organizime të tilla dëshmojnë se kujtesa institucionale, solidariteti dhe respekti për ata që e dhanë jetën në shërbim të vendit dhe qytetarëve janë vlera që duhet t’i ruajmë dhe t’i përcjellim brez pas brezi”, tha nënkolonel Arbresh Ajvazi, drejtor i Departamentit të Rendit Publik.
Ndërkaq, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha se “nderimi dhe përkujtimi i shëmbëlltyrës së 26 heronjve të Kosovës të cilët nuk e kursyen jetën e tyre në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve të saj, do të jenë çdo herë në zemrat dhe mendjet tona”.
Në fillim të garës përkujtimore tradicionale, i pari që e preku topin në mesfushë, ishte djali i heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.
Zëdhënës i policisë së Kosovës tha se në kuadër të këtij aktiviteti tradicional, përveç se në futboll, Sindikata e Policisë së Kosovës ka organizuar gara edhe në volejboll, shah dhe në qitje me armë, ndërsa kupa e këtyre garave, i kushtohet heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.