Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > PDK-ja dhe LDK-ja në betejë me veten

PDK-ja dhe LDK-ja në betejë me veten

Njëra mbeti pa kryetar. Tjetra po përballet me kërkesa për largimin e tij.

Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dorëheqja e Bedri Hamzës ka hapur rrugën për zgjedhjen e një udhëheqësi të ri. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku përballet me kundërshtime nga figura të partisë së tij, përfshirë kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili synon t’ia marrë drejtimin.

Dy partitë opozitare kanë së bashku 40 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Por, në një kohë kur po përballen me mosmarrëveshje të brendshme, sa hapësirë u mbetet për ta sfiduar Qeverinë e Albin Kurtit?

Përgjigjja nuk lidhet vetëm me emrat që do t’i udhëheqin. Në PDK, debati shkon deri tek identiteti politik pas Hashim Thaçit. Në LDK, te rezultatet zgjedhore, vendimet e udhëheqjes dhe drejtimi që duhet të marrë partia.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se këto probleme mund të ndikojnë në aftësinë e dy partive për të bashkëpunuar, për të mbikëqyrur Qeverinë dhe për t’u ofruar votuesve një alternativë politike.

Dy parti, dy beteja për udhëheqjen

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026, PDK-ja fitoi 19.44 për qind të votave dhe 22 ulëse në Kuvend, ndërsa LDK-ja siguroi 16.69 për qind dhe 18 ulëse.

Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025, PDK-ja shënoi një rënie të lehtë në përqindjen e votave, nga 20.19 në 19.44 për qind, duke ruajtur numrin e ulëseve. LDK-ja, ndërkaq, e rriti mbështetjen nga 13.24 në 16.69 për qind dhe fitoi tri ulëse më shumë.

Por, rritja nuk i shuajti mospajtimet brenda LDK-së, e cila mbeti forca e tretë politike në vend.

Pas zgjedhjeve të qershorit, disa degë të partisë, përfshirë ato në Pejë, Lipjan dhe një degë në Prishtinë, kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke e konsideruar rezultatin të pamjaftueshëm.

Abdixhiku i kundërshtoi kërkesat dhe akuzoi disa struktura për veprime të koordinuara kundër tij, ndërsa figura të tjera të partisë i dolën në mbështetje.

Përplasjet nuk u shuan.

Më 22 tetor, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, konfirmoi synimin për të kandiduar për kryetar të LDK-së dhe kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut.

Rama e lidhi ambicien e tij me rezultatin në Prishtinë, ku ishte rizgjedhur kryetar i komunës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kërkoi që debati për udhëheqjen të zhvillohet në kuadër të një procesi të rregullt zgjedhor. Ai shkroi në rrjetet sociale se viti 2027 është vit i zgjedhjeve të brendshme në parti dhe se diskutimi për kandidatët, pa u hapur zyrtarisht gara, nuk i kontribuon demokracisë së saj.

Abdixhiku, i cili e drejton LDK-në që nga viti 2021, kishte ofruar dorëheqjen pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2025, por kishte marrë votëbesimin e partisë për të vazhduar në këtë post.

Ai kaloi një tjetër votëbesim edhe në korrik të këtij viti.

Në PDK, ndërkaq, ndryshimi i udhëheqjes tashmë është bërë i pashmangshëm.

Bedri Hamza dha dorëheqje të parevokueshme më 21 tetor, më pak se një vit pasi kishte marrë drejtimin e partisë.

Ai tha se vendimi synon t’u hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme dhe figurave të reja, por nuk sqaroi se kur do të zhvillohet procesi.

PDK-ja kishte paralajmëruar më herët nisjen e zgjedhjeve të brendshme në shtator, por ato nuk u zhvilluan.

Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së për zhvillimet e brendshme në këto parti, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e artikullit.

PDK-ja pas Thaçit, LDK-ja përballë pakënaqësive

Për gati dy dekada, PDK-ja u identifikua politikisht me Hashim Thaçin dhe më pas me Kadri Veselin.

Thaçi e udhëhoqi partinë nga themelimi i saj më 1999 deri në vitin 2016, kur u zgjodh president i Kosovës. Pas tij, drejtimin e mori Veseli, i cili dha dorëheqje në nëntor të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Që atëherë, PDK-ja ka kaluar nëpër disa ndryshime udhëheqjeje, ndërsa ndikimi politik i ish-drejtuesve të saj mbetet pjesë e debatit për të ardhmen e partisë.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i shpallën të katërtit fajtorë për krime lufte. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Tani, pas dorëheqjes së Hamzës dhe vendimit në Hagë, PDK-ja përballet sërish me pyetjen se kush do ta udhëheqë dhe mbi çfarë orientimi politik.

Për Donika Eminin, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, PDK-ja po përballet me një krizë të identitetit dhe të ripozicionimit politik.

Ajo vlerëson se tensionet ndërmjet strukturave tradicionale dhe një brezi që synon një profil tjetër politik, tregojnë se ndryshimi i udhëheqjes nuk e zgjidh vetvetiu çështjen e drejtimit të partisë.

Një faktor tjetër që mund të ndikojë në të ardhmen e saj, sipas Eminit, është procesi gjyqësor në Hagë.

“Pasojat e këtij procesi tashmë kanë filluar të ndihen, por mendoj se ndikimi i tij në strukturat, balancat e brendshme dhe orientimin e ardhshëm të partisë mund të jetë shumë më i madh sesa shohim sot. Për këtë arsye, kriza e PDK-së nuk mund të kuptohet vetëm përmes debatit aktual për lidershipin”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Në LDK, problemi është tjetër.

Partia ka një kryetar që u ka mbijetuar votëbesimeve të brendshme dhe ka shënuar rritje në zgjedhjet e fundit, por kjo nuk e ka ndalur kundërshtimin ndaj tij.

Kërkesat për largimin e Abdixhikut nuk lidhen, pra, vetëm me rezultatin zgjedhor, por edhe me mënyrën se si ai e ka drejtuar partinë.

Emini përmend menaxhimin e periudhës pas zgjedhjeve, raportet me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin, si dhe diskutimet për rikthimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në parti.

“Në vend që këto zhvillime ta ndihmonin partinë të konsolidohej, ato kanë nxjerrë në pah edhe më shumë dobësitë dhe ndarjet e saj”, thotë ajo.

Sipas Eminit, LDK-ja duhet të përcaktojë jo vetëm se kush do ta udhëheqë, por edhe çfarë oferte politike do t’u paraqesë votuesve.

Politologu Dritëro Arifi sheh një problem të përbashkët në të dyja partitë: mungesën e një strategjie afatgjatë.

Ai thotë se disa struktura të LDK-së vazhdojnë të kenë mosbesim ndaj udhëheqjes së Abdixhikut, ndërsa dorëheqja e Hamzës nxjerr në pah, sipas tij, mungesën e përgatitjes për një tranzicion të qartë në PDK.

“Po vërehet se nuk ka pasur strategji, sepse po të kishte pasur, dorëheqja e kryetarit do të duhej të pasohej menjëherë me disa kandidatë seriozë për këtë post, të cilët do t’i hynin garës menjëherë për ta sanuar problemin”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Për të, ndryshimi i emrave në krye nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me ndryshimin e politikave dhe të mënyrës së funksionimit të partive.

Kur opozita bashkëpunon me pushtetin

Vetëm pak javë pasi siguroi mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, PDK-ja kërkoi që ligji të kthehej në Kuvend.

Kërkesa erdhi një ditë pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga drejtimi i partisë.

PDK-ja tha se synonte të shmangte pengesat e mundshme në zbatimin e ligjit. Por, Përparim Gruda, i cili kishte iniciuar ndryshimet, këmbënguli se ato nuk kishin asnjë gabim.

Qëndrimet e ndryshme ngritën pyetje për mënyrën se si po merren vendimet brenda partisë, në një kohë kur ajo po përgatitet të zgjedhë udhëheqjen e re.

Më 6 tetor, PDK-ja kishte insistuar që Kuvendi t’i miratonte ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, përpara se të procedonte me zgjedhjen e presidentit të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje i mbështeti ndryshimet, pavarësisht rezervave të shprehura nga kryeministri Kurti për mungesën e analizës së mjaftueshme juridike.

Në votimin përfundimtar, ligji mori 88 vota, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

LDK-ja e kishte kundërshtuar nismën, duke vënë në pikëpyetje efektet juridike të saj.

Pas miratimit të ligjit, Kuvendi zgjodhi Justina Shiroka Pulën presidente të Kosovës, me 81 vota.

Këto zhvillime treguan se PDK-ja dhe partia në pushtet mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për çështje të caktuara, edhe kur LDK-ja zgjedh të mos bëhet pjesë e vendimmarrjes.

Megjithatë, qëndrimet e ndryshme për një ligj nuk dëshmojnë domosdoshmërisht mungesë koordinimi opozitar. Partitë mund të mos pajtohen për çështje ligjore dhe politike, pa qenë të detyruara të veprojnë si një bllok i vetëm.

Për Eminin, sfida kryesore e opozitës shkon përtej votimeve të caktuara.

Ajo vlerëson se partitë opozitare nuk kanë arritur të ndërtojnë një kauzë të përbashkët politike dhe një alternativë bindëse ndaj qeverisjes së Kurtit.

“Normalisht që këto përçarje brenda partive opozitare i pengojnë ato të ndërtojnë një strategji të përbashkët. Por, problemi është edhe më i thellë. Ato po e pengojnë opozitën të ndërtojë një kauzë politike rreth së cilës mund të bashkojë elektoratin”, thotë ajo.

Edhe Arifi e sheh mungesën e koordinimit si pengesë për një opozitë më efektive.

Sipas tij, kur njëra parti opozitare ngre një çështje, ndërsa të tjerat nuk e mbështesin ose nuk angazhohen rreth saj, dobësohet mundësia për të ushtruar presion të përbashkët ndaj Qeverisë.

Ai vlerëson se kjo mund t’i krijojë përparësi politike Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia zvogëluar presionin nga kundërshtarët.

“Po vërehen përçarje dhe mungesë mirëkuptimi apo mbështetjeje për parime të caktuara. Kur njëra parti opozitare ngre një çështje, tjetra nuk interesohet dhe anasjelltas. Kjo e dobëson ndjeshëm zërin e opozitës, jo vetëm aktualisht, por edhe në planin afatgjatë, duke i nxjerrë këto parti si të paafta për të ushtruar mbikëqyrje më rigoroze ndaj Qeverisë”, thekson Arifi.

Çfarë humbet opozita duke u marrë me veten?

Përplasjet e brendshme nuk janë domosdoshmërisht tregues se një parti po humb aftësinë për të vepruar politikisht.

Garat për udhëheqje, kërkesat për llogaridhënie dhe mospajtimet për orientimin politik mund të jenë pjesë e funksionimit të demokracisë së brendshme partiake.

Në PDK, kjo do të testohet përmes zgjedhjeve të ardhshme të brendshme dhe aftësisë për të përcaktuar drejtimin politik pas Hamzës.

Në LDK, mbetet të shihet se si do të trajtohen kërkesat për ndryshim dhe nëse procesi i ardhshëm zgjedhor do t’i adresojë mospajtimet ndërmjet strukturave.

Por, edhe nëse ndryshojnë udhëheqjet, kjo nuk garanton se partitë do të bëhen më efektive si opozitë.

Analistët pajtohen se sfidat shkojnë përtej emrave dhe lidhen me strategjinë, orientimin politik dhe aftësinë për të ndërtuar mbështetje.

Emini paralajmëron se mungesa e një opozite aktive dhe të koordinuar mund të ndikojë në mbikëqyrjen e emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura, në sektorin e drejtësisë, në kontrollin e financave publike dhe në vlerësimin e punës së ministrive.

Arifi, ndërkaq, vlerëson se mungesa e presionit opozitar mund t’ia lehtësojë Qeverisë marrjen e vendimeve pa u përballur me kontroll të mjaftueshëm parlamentar.

Ai thotë se sfidë mbetet jo vetëm miratimi i ligjeve, por edhe zbatimi i tyre, për të cilin opozita duhet të kërkojë përgjegjësi.

“Opozita është një lloj pushteti i mbikëqyrjes. Kur ky pushtet i mbikëqyrjes është shumë i brishtë, joaktiv dhe jopërmbajtjesor në ngritjen e zërit për reformat, për ligje, për përmirësime e kështu me radhë, atëherë edhe për Qeverinë do të jetë më e lehtë të lëshojë gabime gjatë rrugës, sepse nuk do të sfidohet nga askush”, thotë Arifi.

Emini sheh edhe një rrezik më afatgjatë: humbjen e besimit të qytetarëve se përmes zgjedhjeve mund të sjellin një alternativë tjetër qeverisëse.

“Prandaj, mendoj se rreziku më i madh nuk është thjesht bllokada apo vonesa e reformave. Është dobësimi i demokracisë përmes mungesës së një alternative politike të besueshme”, thotë Emini.

Ajo nuk sheh shenja se partitë opozitare janë të gatshme për ndryshime rrënjësore në orientimin e tyre politik dhe paralajmëron se vazhdimi i gjendjes aktuale mund të nxisë largime dhe rreshtime të reja të figurave politike.

Sipas saj, këto lëvizje nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht kalim te partia në pushtet, por mund të përfshijnë edhe largimin nga politika partiake apo bashkimin me subjekte të tjera, siç ka ndodhur edhe më parë në Kosovë.