Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vazhdon situata e tensionuar tek xhamia në Dumnicë, për Insajderin flet organizatori i protestës kundër imamit të BIK’ut

Vazhdon situata e tensionuar tek xhamia në Dumnicë, për Insajderin flet organizatori i protestës kundër imamit të BIK’ut

Situata mbetet e tensionuar te xhamia e re në fshatin Dumnicë të Podujevës, ku banorët lokalë po kundërshtojnë emërimin e imamit Eset Qerimi nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).

Për Insajderin ka folur Burim Zejnullahu, organizator i protestës, i cili ka treguar arsyet e kundërshtimit të banorëve ndaj këtij emërimi.

Zejnullahu ka thënë se xhamia ishte nisur me qëllimin që imam i saj të bëhej hoxhë Fidan Musliu. Sipas tij, edhe parcela për ndërtimin e xhamisë ishte dhuruar me këtë synim.

Ai pretendon se banorët fillimisht kishin planifikuar ta ndërtonin xhaminë me forcat e tyre, por procesi ishte bllokuar pasi ishte kuptuar se për cilin imam po ndërtohej.

“ Hoxhën e kanë çu në një xhami tjetër, por ia kanë premtu që në momentin e finalizimit të xhamisë së re, na të transferojmë dhe të bijmë këtu”, ka deklaruar Zejnullahu për Insajderin.

Pamje nga protesta:

Sipas tij, këtë premtim e kishin bërë kryeimami Bekim Jashari, kryetari Mensur Hoti dhe hoxhë Muharrem Bryma, të cilët, siç thotë ai, ua kishin dhënë fjalën vëllezërve Stublla, në prani të një dëshmitari nga lagjja.

Megjithatë, Zejnullahu thotë se kur xhamia ishte drejt përfundimit, ishte përzgjedhur një imam tjetër, vendim të cilin banorët nuk e pranojnë.

“Për neve është i padëshirueshëm dhe nuk pranojmë me hi”, ka thënë ai, duke iu referuar imamit Eset Qerimi.

Ndërkohë, në vendngjarje kanë arritur forca të Policisë së Kosovës. Zejnullahu i ka falënderuar zyrtarët policorë për, siç është shprehur, sjelljen korrekte gjatë ndërhyrjes.

Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes janë shtuar forcat e rendit dhe se është përfshirë edhe Njësia Speciale e Policisë.

Insajderi ka raportuar më herët se kundërshtimi i banorëve ndaj emërimit të Qerimit lidhet edhe me një peticion me rreth 300 nënshkrime, që sipas një burimi të gazetës ishte dorëzuar kundër këtij vendimi. Lajm nga Insajderi