Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka kritikuar kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, duke e akuzuar për qëndrime antimalazeze dhe për kundërshtimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për gazetën Pobjeda, Gjukanoviq ka komentuar edhe qëndrimin e Mandiqit ndaj njohjes së Kosovës nga Mali i Zi, duke e cilësuar atë si kundërshtar të shtetit malazez.
“Armik i betuar i shtetit malazez dhe i gjithçkaje malazeze, grevist i rremë urie për shkak të njohjes së Kosovës nga Mali i Zi, kryengritës çetnik që u bënte thirrje shokëve të luftës të nxirrnin armët nga toka dhe të përgatiteshin për një masakër të re”, ka deklaruar Gjukanoviq, duke iu referuar Mandiqit.
Gjukanoviq e ka cilësuar Mandiqin si një nga përfaqësuesit më të thekur të politikës së Beogradit që nxiti luftërat e viteve ’90.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si Mandiqi e ka arsyetuar dërgimin e telegramit të ngushëllimit për djalin e Ratko Mladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, i dënuar për krime lufte.
Sipas Gjukanoviqit, Mandiqi është përpjekur ta arsyetojë këtë veprim me traditën malazeze, ndërsa ka shprehur bindjen se telegrami mund t’i kushtojë atij postin e kryetarit të Kuvendit.