Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Barça e bën prioritet shënjestrën e Realit, e synon transferimin e tij në janar

Barça e bën prioritet shënjestrën e Realit, e synon transferimin e tij në janar

Barcelona mund ta ketë nisur sezonin e ri në mënyrë fantastike, duke i fituar të 11 ndeshjet në të gjitha garat.

Megjithatë, problemet për klubin po shtohen, pasi Hansi Flick ka mbetur me shumë pak alternativa në qendër të mbrojtjes, veçanërisht pas lëndimit të Andreas Christensenit.

Paraqitjet e Gerard Martinit kanë qenë më të dobëta krahasuar me sezonin e kaluar, ndërsa ai, Eric Garcia dhe Jules Kounde pësuan lëndime në ndeshjen kundër Real Betisit.

Mungesa e alternativave në mbrojtje mund ta detyrojë Barcelonën që t’i drejtohet sërish tregut të transferimeve, ndërsa Hansi Flick tashmë e ka identifikuar objektivin e tij të preferuar.

Sipas “Diario SPORT”, Flick e ka përzgjedhur mbrojtësin e Stuttgartit, Finn Jeltsch, si objektivin e tij kryesor për afatin kalimtar të janarit.

Nuk është sekret se trajneri gjerman e përcjell me shumë vëmendje Bundesligën dhe Jeltsch, në këtë drejtim, është shndërruar në njërin prej talenteve në rritje të futbollit gjerman, duke marrë së fundmi edhe një ftesë nga kombëtarja.

Mbetet të shihet nëse Barcelona do të bëjë një lëvizje për Jeltsch gjatë afatit kalimtar të janarit, por transferimi i mbrojtësit mund të kushtojë shtrenjtë, pasi vlera e tij vlerësohet rreth 50 milionë euro.

Për më tepër, Barcelona mund të përballet me konkurrencë të fortë nga Liverpooli dhe rivali i përbetuar, Real Madridi, të cilët e kanë përcjellë nga afër mbrojtësin e ri prej një kohe të gjatë.

Pavarësisht kostos, Jeltsch ka shumë cilësi për të ofruar.

Me gjatësi prej 1.85 metrash, gjermani është një figurë imponuese në mbrojtje dhe është shumë i dobishëm në ndërtimin e aksioneve nga prapavija.

Megjithatë, problemi qëndron te fakti se Jeltsch është mbrojtës qendror që luan në anën e djathtë. Barcelona, në këtë moment, ka nevojë të madhe për një mbrojtës qendror këmbëmajtë, i cili mund të luajë përkrah Pau Cubarsit.

Për më tepër, Jeltsch është ende mjaft i ri, ndërsa Barcelonës i duhet idealisht një futbollist me përvojë për ta zëvendësuar Inigo Martinezin. Për këtë arsye, katalunasit duhet ta shtyjnë për momentin interesimin për yllin e Stuttgartit dhe të orientohen drejt një alternative më të dëshmuar.

Në këtë drejtim, bashkëlojtari i tij në kombëtaren gjermane, Nico Schlotterbeck, mund të jetë alternativa ideale. Ylli i Dortmundit mund të jetë i disponueshëm për një çmim më të ulët verën e ardhshme dhe është mbrojtës këmbëmajtë, i cili zotëron cilësi të shkëlqyera udhëheqëse.