Organizata për Kultivimin e Traditave Kulturore „Shqiptaria“, me seli në Prishtinë, ka nisur procesin për themelimin e degës së saj në Kukës të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të organizatës, në praninë e kryetarit Muhamet Latifi dhe anëtarit të Kryesisë, Muhamet Ahmetaj, është zgjedhur Këshilli Nismëtar treanëtarësh, i përbërë nga Vera Istrefaj, Asllan Hoxhaj dhe Asllan Brahaj.
Ky këshill do të angazhohet në hapat e mëtejshëm organizativë për themelimin dhe funksionalizimin e degës në Kukës.
Në takim mori pjesë edhe delegacioni i degës së Shqiptarisë në Prizren, i përbërë nga kryetari Bajram Gashi, nënkryetari Simon Veseli dhe anëtari i Kryesisë, Avdi Kabashi.
Sipas organizatës, themelimi i degës në Kukës synon zgjerimin e veprimtarisë kulturore dhe qytetare, si dhe krijimin e hapësirave të reja të bashkëpunimit për ruajtjen dhe përcjelljen e traditave kulturore shqiptare te brezat e rinj.
Organizata Shqiptaria ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në këtë nismë, duke vlerësuar gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë së saj.