Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > 51 policë të lënduar në Shqipëri, Drejtori i Policisë i viziton në spital

51 policë të lënduar në Shqipëri, Drejtori i Policisë i viziton në spital

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vizitoi punonjësit e policisë të dëmtuar gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme

Drejtori Hita u uroi punonjësve të dëmtuar shërim të shpejtë, i falënderoi për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe përmbajtjen e treguar përballë sulmeve të pandërprera, si dhe i siguroi për mbështetjen e plotë të tij dhe të institucionit që drejton, shkruan A2.

Drejtori Hita bisedoi edhe me stafin drejtues të spitalit dhe ekipin mjekësor, nga të cilët u informua se punonjësit e Policisë që kanë pësuar dëmtime më të rënda dhe do të vijojnë të qëndrojnë në spital, po marrin trajtimin e duhur mjekësor.

Sipas autoriteteve, gjatë tubimit u dëmtuan 51 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Shërbimet e Policisë, deri në këto momente, kanë shoqëruar për veprime të mëtejshme 65 shtetas pjesëmarrës në tubim, të dyshuar për sulme ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.