Studiuesi francez Serge Métais ka deklaruar se mosparaqitja e Dick Martyt para prokurorit Clint Williamson për t’u marrë në pyetje ishte një nga faktorët kyç që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën.
Në vazhdimin e intervistës për gazetën “Epoka e re”, Métais ka pretenduar se shërbimet sekrete ruse kishin interes ta pengonin me çdo kusht bashkëpunimin e Marty-t me prokurorin Williamson.
Sipas studiuesit francez, nëse Marty do të paraqitej para Task Forcës, ai do të duhej të shpjegonte burimet e informacionit mbi të cilat ishte mbështetur për pretendimet lidhur me një qendër të supozuar të ndalimit të të burgosurve serbë dhe një klinikë në Fushë-Krujë, ku pretendohej se ishte kryer trafikim i organeve njerëzore.
Métais tha se Marty nuk kishte paraqitur dëshmitarë dhe se nuk kishte mundësi të verifikonte në mënyrë të pavarur burimet e tij të informacionit.
“Pamundësia për ta detyruar Dick Martyn të paraqitej është një pikë kyçe për të shpjeguar përse u krijua Gjykata Speciale”, ka deklaruar Métais.
Ai ka vlerësuar se, po të ishte paraqitur Marty para Task Forcës, pretendimet e tij do të shqyrtoheshin më tej dhe, sipas interpretimit të tij, Gjykata Speciale nuk do të ishte krijuar.
Métais ka lidhur këtë zhvillim me vitin 2015, kur u krijua kuadri ligjor për Gjykatën Speciale, me mandat për trajtimin e pretendimeve për krime të rënda të lidhura me raportin e Dick Marty-t.
Studiuesi francez ka pohuar se hetimi për trafikimin e organeve njerëzore nuk kishte prova në atë kohë.