Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ambasadori Zemaj alarmon NATO-n për deklaratat e Daçiqit për Prizrenin

Ambasadori Zemaj alarmon NATO-n për deklaratat e Daçiqit për Prizrenin

Astrit Zemaj, Ambasadori i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, përmes një postimi në Facebook ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit serb Ivica Daçiq, i cili gjatë një tubimi në Rashkë u shpreh se “herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren”.

Zemaj e ka cilësuar këtë deklaratë jo si thjesht retorikë elektorale, por si gjuhë të drejtpërdrejtë nacionaliste e kërcënuese që vë në pikëpyetje realitetin shtetëror të Kosovës dhe rrezikon sigurinë në rajon.

“Kjo gjuhë i përket epokës së Millosheviqit, kur nacionalizmi agresiv serb kulmoi në Ballkan me luftëra, shkatërrim dhe katastrofë humanitare. Nuk duhet harruar se SPS-ja e Daçiqit ishte pjesë e pushtetit gjatë viteve të luftës, ku mbi 13.500 shqiptarë u vranë”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka vënë në dukje se pretendimet territoriale të Beogradit nuk mund të arsyetohen me mbrojtjen e komunitetit serb, meqë Kushtetuta e Kosovës u garanton atyre 10 vende të rezervuara në Kuvend dhe mbrojtje të veçantë institucionale.