Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Basri Beka kërkon ndryshimin e Ligjit për Protokollin e Shtetit: Familjet e heronjve dhe veteranët e UÇK-së meritojnë përparësi

Basri Beka kërkon ndryshimin e Ligjit për Protokollin e Shtetit: Familjet e heronjve dhe veteranët e UÇK-së meritojnë përparësi

Basri Beka ka kërkuar ndryshimin e nenit 41 të Ligjit për Protokollin e Shtetit, duke vlerësuar se renditja aktuale protokollare nuk pasqyron siç duhet historinë, sakrificën kombëtare dhe kontributin e atyre që u angazhuan për lirinë e Kosovës.

Në apelin e tij drejtuar Kuvendit të Kosovës, Presidentes dhe Qeverisë, Beka ka kërkuar që përfaqësuesit e familjeve të heronjve të Kosovës të vendosen në një pozitë me përparësi më të lartë protokollare, së paku në fillim të Grupit II, si dhe të rishikohet pozita e kryetarit të organizatës përfaqësuese të veteranëve të UÇK-së.

Sipas Bekës, ligji aktual i rendit udhëheqësit e bashkësive fetare në Grupin II, ndërsa përfaqësuesit e familjeve të heronjve të Kosovës dhe kryetarin e shoqatës së veteranëve të luftës në Grupin III.

Ai ka theksuar se kjo renditje duhet të rishqyrtohet, duke përmendur familjet Jashari, Rugova, Haradinaj, Pajaziti dhe familjet e tjera të heronjve, të cilat, sipas tij, përfaqësojnë një trashëgimi historike që meriton trajtim të veçantë në protokollin shtetëror.

Beka ka kërkuar gjithashtu që në ligj të përmendet shprehimisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës në dispozitën që përcakton pozitën protokollare të kryetarit të shoqatës së veteranëve të luftës.

Ai ka sqaruar se kërkesa e tij nuk është kundër besimit apo bashkësive fetare, por ka të bëjë me respektimin e historisë kombëtare, dinjitetin e familjeve të heronjve dhe njohjen e kontributit të veteranëve të luftës.

Në apel, Beka i është referuar edhe nenit 8 të Kushtetutës së Kosovës, i cili e përcakton Republikën si shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare. Sipas tij, ky parim duhet të reflektohet edhe në organizimin e institucioneve dhe ceremonive zyrtare shtetërore.

Ndër kërkesat e tij janë ndryshimi i nenit 41 të Ligjit për Protokollin e Shtetit, rishikimi i pozitës protokollare të përfaqësuesve të familjeve të heronjve dhe veteranëve të UÇK-së, si dhe harmonizimi i protokollit me historinë dhe karakterin laik të Republikës së Kosovës.

“Respekti për fenë është e drejtë. Nderimi i heronjve dhe veteranëve është detyrim moral e kombëtar”, ka theksuar Beka në apelin e tij, duke shtuar se protokolli shtetëror duhet t’i pasqyrojë këto vlera me dinjitet dhe pa krijuar privilegje të pajustifikuara.

Në përfundim, ai ka vlerësuar se ligji duhet të rishikohet dhe të ndryshohet, në mënyrë që familjet e heronjve dhe veteranët e UÇK-së të kenë një vend të denjë në protokollin e Republikës së Kosovës.