Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, ka paralajmëruar këtë të enjte se fqinjësia e Evropës “është në zjarr”, përtej një lufte në Ukrainë, “valët goditëse” të së cilës janë ndjerë në të gjithë botën sa i përket çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve.
“Fqinjësia jonë është në zjarr. Kriza në Moldavi dhe Serbi, Kosovë, Siri, Libi”, u shpreh ai në një aktivitet të organizuar nga Universiteti IE në Madrid, raporton mediumi spanjoll, “EuropaPress”.
Borrelli ka mbështetur fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kur ai ka paralajmëruar për sfidat e mëdha me të cilat përballet bota përtej Ukrainës dhe nevojën për t’i trajtuar të gjitha në mënyrë të barabartë.
Shefi i diplomacisë evropiane ka thënë se në kohën e pushtimit rus të Ukrainës, ai e kuptoi menjëherë se “historia kishte ndryshuar”, se një “faqe e re” e saj po hapej dhe se ky vendim i presidentit rus Vladimir Putin do të sillte pasoja për të gjithë, veçanërisht ukrainasit.
Në këtë kuptim, ai ka mirëpritur reagimin e shpejtë të BE-së, e cila deri më tani ka ndarë ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën. “Fatura është e lartë, por shumë më tepër për ukrainasit që po humbasin shumë njerëz dhe vendi i tyre po shkatërrohet”, u ankua ai.
“Duhet të jemi të sigurt se Ukraina do të mbizotërojë”, theksoi Borrell, i cili është ankuar edhe një herë, si në rastet e mëparshme, për varësinë nga lëndët djegëse fosile që vijnë nga Rusia. “Kjo nuk filloi me luftën, por lufta e ka përkeqësuar atë”, tha ai.
“Çmimi i energjisë është çmimi i lirisë. Ukrainasit po e paguajnë. Ajo që kishim ishte një varësi e tepruar nga gazi rus”, ka pranuar kreu i diplomacisë evropiane, i cili tha se si shtete anëtare të BE-së, si Hungaria apo Gjermania, kishin Rusinë pothuajse furnizuesin e vetëm.
/TV Arbëria