Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar ushtrinë ruse se ka vrarë qëllimisht civilë dhe ka bombarduar ndërtesa banimi si një dhuratë makabre për Vladimir Putinin, i cili të mërkurën feston 74-vjetorin e lindjes.
Presidenti i Ukrainës i cilësoi si “të neveritshme” sulmet me dronë dhe raketa të kryera nga Rusia gjatë natës, të cilat vranë të paktën 15 persona. “Rusët donin të godisnin në mënyrë të dhimbshme dhe demonstrative”, tha ai.
Pamjet video shfaqen një raketë balistike që goditi një pallat pesëkatësh në qytetin Pryluky, në rajonin verior të Chernihivit. Ndërtesa prej betoni u shemb, duke zënë brenda personat që ndodheshin aty. Sipas zyrtarëve, nëntë persona humbën jetën, përfshirë tre fëmijë, ndërsa 38 persona u plagosën.
Ekipet e shpëtimit kërkuan mes rrënojave në përpjekje për të gjetur të mbijetuar. “Sot, në ditëlindjen e Putinit, ushtria ruse i ‘dhuroi’ atij shkatërrimin e një pallati banimi në Pryluky. Ishte një pallat i zakonshëm pesëkatësh”, shkroi Zelenskyy në rrjetet sociale.