Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > BE nuk mendon se Serbia i ka rinovuar targat KM

BE nuk mendon se Serbia i ka rinovuar targat KM

Bashkimi Evropian nuk konsideron që Serbia i ka rinovuar targat ilegale KM. Këtë e tha zëdhënësi i këtij institucioni Peter Stano, që deklaroi se “rinovimi i sigurimit dhe i kontrollit teknik i jep pëlqim automjetit dhe jo targave”.

Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Beogradi është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Mirëpo, policia ka ndaluar disa automjete në Jarinje pasi u tha se të njëjtat janë ri-regjistruar gjatë muajit dhjetor 2022.

Stano deklaroi se Bashkimi Evropian iu kërkon të gjitha palëve që të respektojnë plotësisht dhe pa kushte marrëveshjen dhe zgjidhjen e arritur më 23 nëntor të vitit të kaluar.

“Bashkimi Evropian po u kërkon të gjitha palëve që të respektojnë plotësisht dhe pa kushte marrëveshjen dhe zgjidhjen e arritur më 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilën Kosova dhe Serbia ranë dakord për masa specifike në lidhje me targat për të deeskaluar situatën dhe për t’u fokusuar plotësisht në propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo marrëveshje përfshinte që Kosova të përmbahej nga çdo veprim i mëtejshëm dhe i detyrueshëm kundër pronarëve të automjeteve me targa KM, dhe në mënyrë efektive të ruante status quo-në derisa çështja të mund të zgjidhej në dialog në mënyrë të qëndrueshme, dhe gjithashtu përfshiu Serbinë që të mos lëshonte targa të reja KM”, tha Stano.

Duke iu rikthyer asaj nëse Serbia e ka shkelur marrëveshjen, Stano u shpreh se nuk e kanë kuptuar në këtë mënyrë.

Mirëpo, shtoi se palët për çdo pyetje mbi interpretimin ta shtrojnë në kuadër të dialogut para se të ndërmarrin veprime të njëanshme.

“Në lidhje me veprimet e Serbisë, ne kemi marrë parasysh vendimin e Serbisë të datës 6 dhjetor të vitit të kaluar, që regjistrimet e targave KM nuk do të rinovohen. Kuptohet se rinovimi i sigurimit dhe i kontrollit teknik i jep pëlqim automjetit dhe jo targave, prandaj si i tillë nuk mund të konsiderohet si rinovim i targës. Por përsëri, ne i nxisim të gjitha palët që të respektojnë marrëveshjen dhe të fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin e BE-së, dhe çdo pyetje mbi interpretimin, mbi atë që u ra dakord më 23 nëntor duhet të diskutohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, dhe jo me veprime të pakoordinuara në terren, të cilat mund të destabilizojnë më tej situatën tashmë të brishtë atje”, tha Stano.

Gjatë së mërkurës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u shpreh se Serbia ka shkelur dakordimin për targat pasi ka ri-regjistruar me targa ilegale KM automjetet gjatë muajit dhjetor 2022.

“Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës. Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, deklaroi Sveçla.

Ai ftoi të gjithë pronarët e veturave me targa të tilla të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.

/TV Arbëria

Powered by WordPress