Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Liburn Aliu: Prokuroria Speciale i pushoi hetimet ndaj meje, mbase do të vazhdoj të sulmohem sërish

Liburn Aliu: Prokuroria Speciale i pushoi hetimet ndaj meje, mbase do të vazhdoj të sulmohem sërish

Ish-ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu, tha përmes një video se Prokuroria Speciale e Kosovës ka vendosur t’i pushojë hetimet ndaj tij.

Aliu tha se përpos punës si ministër, atij i është hetuar edhe pasuria e tij dhe “e gjithë familjes”, si “të hyrat përgjatë viteve”.

Postimi i Liburn Aliut në Facebook:

Mirëmëngjes të dashur qytetarë,

Kam marrë lajmin e mirë nga avokati im për vendimin për pushimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale ndaj meje. Ky vendim është marrë më 11 shtator dhe është dhënë mëngjesin e së premtes, më 2 tetor.

Ky proces hetimor ka filluar para dy vitesh dhe përgjatë tërë kohës është përcjellë me spekulime të shumta mediatike. Përpos punës sime si ministër, është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të hyrat përgjatë viteve, të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011, në vazhdimësi deri më sot, edhe tani që kam marrë detyrën e re.

Që nga fillimi i hetimeve jam sulmuar nga të gjitha drejtimet me shpifje dhe ofendime nga më të rëndat, të cilat më janë drejtuar mua, familjes time dhe idealit kombëtar që kam bërë përpjekje në jetë ta zbatoj me modesti.

Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm.

Mbase mund të vazhdoj të sulmohem sërish kudo me shpifje të shumta, ashtu siç ka ndodhur më herët. Në botën në të cilën lajmi i rremë përhapet me lehtësi, unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën.

I falenderoj të gjithë ata që më besuan.