Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në Korçë, ku ka humbur jetën një 60-vjeçar nga fshati Bulgarec.
Viktima po udhëtonte me biçikletë drejt qytetit të Korçës, siç bënte çdo mëngjes, për të çuar qumështin e prodhuar në fshat për ta shitur.
Sipas informacioneve paraprake, 60-vjeçari është përplasur nga një automjet që drejtohej nga një efektiv policie, me inicialet D.M. Përplasja ka qenë fatale për Agollin, i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, ka mbetur gjithashtu i plagosur rëndë dhe ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin mjekësor.
Banorët e zonës bëjnë me dije se aksi nacional përdoret çdo ditë nga banorë të fshatrave Bulgarec, Çiflig dhe Lumalas, të cilët transportojnë me biçikleta ose mjete të tjera qumështin dhe produktet bujqësore drejt Korçës për t’i shitur.
Sipas banorëve, ky aks rrugor paraqet rrezik për personat që lëvizin në të, ndërsa në të kaluarën janë shënuar edhe aksidente të tjera ku janë përfshirë banorë të këtyre fshatrave.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Grupi hetimor po punon për të përcaktuar dinamikën e plotë të përplasjes dhe përgjegjësitë e drejtuesit të automjetit.