Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > PAJTIMI PA PËRGJEGJËSI ËSHTË NORMALIZIM I PRIMITIVIZMIT!

PAJTIMI PA PËRGJEGJËSI ËSHTË NORMALIZIM I PRIMITIVIZMIT!

 

Të enjten, në protestën mbarëkombëtare, disa persona që pretendojnë se përfaqësojnë vlerat e veteranëve të UÇK-së morën vëmendjen publike për shkak të një përleshjeje fizike.

Ajo që duhej të ndodhte ishte e thjeshtë: të sqarohej publikisht çfarë ndodhi, kush e shkaktoi incidentin dhe të mbahej përgjegjës secili që përdori dhunë.

Në vend të kësaj, kryetari i OVL-UÇK-së del me një të ashtuquajtur “pajtim”, pa një shpjegim publik të incidentit dhe pa u bërë e ditur ndonjë masë përgjegjësie ndaj atyre që u përfshinë në përleshje.

Kjo nuk është mënyrë serioze për të mbrojtur dinjitetin e veteranëve.

Pajtimi është vlerë kur vjen pas së vërtetës, përgjegjësisë dhe kërkimfaljes. Nuk mund të përdoret si perde për ta mbyllur një incident dhe për të bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Veteranët e UÇK-së nuk kanë nevojë për spektakle primitive, përleshje dhe pastaj fotografi pajtimi. Kanë nevojë për dinjitet, disiplinë dhe përgjegjësi.

Të përdorësh një kulturë të vjetër të “pajtimit” për të shmangur përgjegjësinë nuk është traditë për t’u admiruar. Është sjellje që duhet kritikuar publikisht.

Turp për këtë qasje. Dinjiteti i veteranëve nuk mbrohet duke fshehur konfliktin, por duke vendosur rregull dhe përgjegjësi.