Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > PDK e Aleanca kërkojnë seancë sot për votimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen

PDK e Aleanca kërkojnë seancë sot për votimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë kërkuar seancë të Kuvendit sot, 3 tetor, për votimin e ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale në dy lexime. 

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se dërgimi nga Qeveria në Kuvend i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara është një hap i rëndësishëm. Andaj, ka shtuar ajo, procedura në Kuvend duhet të nisë menjëherë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Musliu-Shoshi ka theksuar se paralelisht me këtë, Kosovës i duhet një strategji e koordinuar juridike dhe diplomatike, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe për mbrojtjen e së vërtetës për luftën çlirimtare të UÇK-së.

“Nëse vendi shkon në zgjedhje pa e përfunduar këtë proces, rrezikojmë ta pamundësojmë mbështetjen institucionale që ua kemi borxh çlirimtarëve, gjakut të derdhur dhe ëndrrës sonë për liri. Kjo çështje është mbi partitë dhe mbi kalkulimet politike. Këtu nuk ka pozitë e opozitë. Ka interes shtetëror”, shkroi ajo.

Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se ndryshimet duhet votohen sa më shpejt.

“Thirreni more seancën sot menjëherë!  Ta votojmë ligjin që e kërkuan tash e sa 17 ditë qytetarët në protestë! Çka po prisni?” ka shkruar në Facebook.