Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar protestën studentore të vitit 1997.
Ai ka bërë me dije se ajo protestë ishte akt politik dhe akt rezistence.
Në profilin e tij në Facebook, Rama ka shkruar se Prishtina dhe Kosova e nderojnë këtë brez të studentëve.
Postimi:
1 TETORI 1997 SI AKT POLITIK, AKT REZISTENCE.
Atë ditë, studentët e Universitetit të Prishtinës, të organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve e të prirë nga rektori i nderuar Ejup Statovci, dolën për të kërkuar kthimin në hapësirat universitare prej të cilave shqiptarët ishin përjashtuar më 1991. Pas viteve të mësimit në shtëpi private dhe moszbatimit të marrëveshjes së arsimit, ata e kthyen kërkesën për të drejtën e tyre në veprim publik.
Kërkesa për kthim në universitet kishte domethënie të thellë politike. Ajo sfidonte një regjim që, përmes përjashtimit nga arsimi dhe institucionet, synonte t’ua mohonte shqiptarëve të drejtat elementare.
Të veshur me të bardha, studentët u përballën paqësisht me bllokadën dhe dhunën e policisë serbe. Në Velani, marshimi i tyre u pengua dhe përballja dëshmoi se edhe e drejta për të mësuar duhej mbrojtur përballë represionit.
Ky është kontributi i një brezi të tërë, i vajzave dhe djemve që e shndërruan përjashtimin në mobilizim dhe të drejtën për arsim në një çështje të lirisë e të dinjitetit kombëtar.
Sot, Kryeqyteti Prishtina e nderon këtë brez që më 1 tetor 1997, kërkuan vendin e tyre në universitet dhe afirmuan vendin e një populli në të ardhmen e vet.