Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka konfirmuar tentim-atentatin ndaj tij.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës e ka ofruar sigurinë e nevojshme. Këtë deklarim Abdixhiku e bëri para mediave, derisa shtoi se nuk ndjehet i rrezikuar.
“Nuk ndihemi absolutisht të rrezikuar, Policia e Kosovës dhe organet e tjera të rendit tashmë janë duke u marrë me këtë. Unë sot në Kuvend kam ardhur si zakonisht pa pasur nevojë për mbrojtje të afërt” , ka thënë Abdixhiku duke mos dhënë detaje më të hollësishme.
Katër nga emrat më të rëndësishëm të LDK-së gjatë kësaj kohe janë kërcënuar dhe shantazhuar, e kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka thënë se janë duke e hetuar këtë rast të cilësuar si kanosje.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.
Ndryshe sipas informacioneve të para, kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë. Këto organe thuhet se kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të lartpërmendur.
/TV Arbëria