Kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson ka kërkuar rikthimin e sanksioneve ndaj kompanisë më të madhe të naftës dhe gazit në Serbi, në pronësi të Rusisë
“Kompania më e madhe e naftës dhe gazit në Serbi është NË PRONËSI të Rusisë dhe sanksionet duhet të zbatohen. Miku i kriminelit të luftës Putin, Vuçiç, ka pasur mundësi të mjaftueshme për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për ta çliruar kompaninë nga pronësia ruse, por ka dështuar ta bëjë këtë. Vuçiç po e zvarrit Amerikën. Është koha që përjashtimi të marrë fund! Vendosni Sanksionet e Grahamit”, shkroi ai në X, duke shpërndarë një lajm me titullin “Ligjvënësit republikanë i bëjnë thirrje Trumpit t’i rikthejë sanksionet ndaj rafinerisë serbe në pronësi ruse”.
Në lajmin e The Hill, thuhet se dy republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve po i bëjnë thirrje administratës Trump që t’i rikthejë sanksionet ndaj një rafinerie në Serbi në pronësi ruse, sipas një letre të siguruar ekskluzivisht nga gazeta. Kritikat nga republikanët shënojnë një tjetër rast të kundërshtimit në rritje brenda Partisë Republikane ndaj veprimeve të presidentit në politikën e jashtme.
Ligjvënësit Joe Wilson dhe Keith Self, aleatë të vendosur të Presidentit Trump, i dërguan të premten një letër Departamentit të Thesarit, duke argumentuar kundër zgjatjes së lehtësimit nga sanksionet të ofruar për kompaninë energjetike serbe në pronësi ruse, NIS.
“Po ju shkruajmë për t’ju kërkuar me respekt që të rishqyrtoni zgjatjen e çdo licence të përkohshme shtesë që lejon Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) të vazhdojë të operojë pavarësisht sanksioneve amerikane lidhur me pronësinë e saj ruse”, shkruajnë ligjvënësit. Letra i drejtohej Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent.
SHBA-ja ka lëshuar vazhdimisht përjashtime nga sanksionet për NIS-in që nga momenti kur kompania u fut në listën e zezë në janar 2025, pas sanksioneve të lidhura me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
NIS furnizon 80 për qind të nevojave energjetike të Serbisë, por është në pronësi të shumicës së aksioneve nga gjigantët rusë të energjisë Gazprom Neft dhe Gazprom, ndaj të cilëve SHBA-ja ka vendosur sanksione.
Javën e kaluar, NIS aplikoi për një tjetër përjashtim përpara afatit të 30 shtatorit, kur skadon përjashtimi i saj më i fundit.
Wilson dhe Self shprehin shqetësimin se përjashtimet po i mundësojnë NIS-it të zvarrisë negociatat për shitjen e aksioneve ruse në kompani. Në janar, kompania me bazë në Hungari MOL njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me Gazprom Neft për të marrë shumicën e aksioneve të saj në NIS, por marrëveshja ende nuk është përfunduar.
“Negociatat për marrëveshjen përfundimtare të blerjes vazhdojnë, dhe MOL ka kërkuar autorizim të vazhdueshëm nga departamenti juaj për të vijuar operimin pavarësisht përparimit të kufizuar”, shkruan ligjvënësit.
“Për më tepër, Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë dhe, ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022”, shtojnë ata.
Kundërshtimi i rrallë nga republikanët vjen në një kohë kur republikanët po flasin gjithnjë e më hapur për mënyrën se si Trump po e menaxhon politikën e jashtme. Kjo përfshin shqetësimin për ftesën e presidentit drejtuar Putinit për të marrë pjesë në një samit të madh ekonomik në Miami në fund të vitit, pavarësisht luftës së vazhdueshme me Ukrainën; kritikat në rritje nga republikanët për ecurinë e luftës shtatëmujore me Iranin, e cila ka përmbysur furnizimet globale me energji dhe ka shkaktuar rritje të çmimeve të naftës dizel dhe benzinës; si dhe zemërimin për pritjen madhështore të Presidentit kinez Xi Jinping nga Trump.