Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Pasha qiell e pasha dhe, plumba s’kanë sa jemi ne”…

“Pasha qiell e pasha dhe, plumba s’kanë sa jemi ne”…

SHKRUAN: ROZETË TELAKU

Ky varg i këngës së kënduar nga Ilir Shaqiri, secili prej nesh e ndjen ndryshe.

Ndryshe e ndjejnë ata që nuk menduan dy herë dhe i dolën zot vendit të tyre. Ndryshe e ndjejnë ata që dhanë gjithçka për këto troje, jetën, familjarët, që përjetuan tmerrin, dhunën dhe humbën çdo gjë. E besa, ndryshe e ndjejnë edhe ata që, nga frika apo nga arsye të ndryshme, nuk luftuan për vendin e tyre. Por kjo do të mbetet në ndërgjegjen e secilit.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Vendimi është i shkallës së parë. Për ne, kjo ditë nuk e ndryshon atë që përfaqëson lufta për liri.

UÇK-ja ishte pjesë e historisë së Kosovës dhe e rrugës së saj drejt lirisë. Sepse pas çdo emri, pas çdo beteje dhe pas çdo kujtimi, janë njerëzit që e përjetuan atë kohë. Janë familjet që humbën më të dashurit, janë nënat që pritën në dyer, janë fëmijët që u rritën pa prindër dhe janë ata që ende sot mbajnë plagët e asaj kohe. Historia nuk është vetëm ajo që shkruhet në dokumente dhe në aktgjykime.

Historia është edhe ajo që ruhet në kujtesën e njerëzve, në rrëfimet e familjeve dhe në kujtimet e atyre që e jetuan luftën. Mund të ketë interpretime të ndryshme për ngjarjet, mund të ketë vendime dhe procese gjyqësore, por kujtesa për sakrificën dhe vuajtjet e njerëzve nuk mund të fshihet.

Koha do të kalojë, brezat do të ndryshojnë, por kujtimi për ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës do të mbetet pjesë e historisë sonë.