Të gjitha tifogrupet kanë bërë të ditur se kanë marrë një vendim për të lënë anash rivalitetet dhe dallimet, në emër të UÇK-së dhe asaj që e konsiderojnë interes kombëtar.
Përmes një postimi, tifogrupet kanë bërë thirrje për bashkim, duke theksuar se këtë herë nuk do të ketë ndarje apo rivalitet mes tyre.
“Sa herë kohët na kanë nda, na bashkuan hallet e mëdha”, thuhet në mesazhin e tyre.
“Sot, të gjitha tifogrupet kemi marrë një vendim: kur është puna te kombi, çdo rivalitet dhe çdo dallim e lëmë anash.
Sot nuk ka ndarje, nuk ka rivalitet. Na bashkon gjaku, nderi, besa dhe dashnia për tokën tonë. Na bashkon historia dhe ideali për të cilin u sakrifikua”, thuhet më tej.
Tifogrupet kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të përbashkët nën moton “BASHKË PËR UÇK”.
“Bashkë për UÇK. Të dielën shihemi të gjithë bashkë. Asgjë nuk është më e shenjtë se kombi, asgjë nuk është më e madhe se ideali”, thuhet në njoftim.
Tubimi është paralajmëruar për 27 shtator, të dielën, në orën 15:00.