Anëtari i PDK-së, Lirim Selmanaj, ka reaguar pas dështimit të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Istogut, për shkak të mungesës së kuorumit.
Selmanaj ka pretenduar se asamblistët e LDK-së nuk morën pjesë në seancën e sotme, e cila kishte për qëllim miratimin e deklaratës kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Sipas tij, mungesa e asamblistëve të LDK-së pamundësoi zhvillimin e seancës.
“SKANDAL! Asamblistët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Istogut sot nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme, duke pamundësuar mbajtjen e kësaj seance për shkak të mungesës së kuorumit”, ka shkruar Selmanaj.
Ai ka pretenduar gjithashtu se seanca nuk mori mbështetje “me urdhër të Ilir Feratit”.
Selmanaj ka thënë se deklarata në fjalë po votohet në kuvende të tjera komunale në Kosovë, ndërsa ka kritikuar LDK-në në Istog për mospjesëmarrjen në seancë.
“Qytetarët e Istogut, ju kanë dhënë fuqi politike por jo fuqi për ta shpërfaqur mospërfilljen e arrogancën. Kjo politikë e mbrapshtë e LDK-së në Istog duhet të marrë fund sa më shpejt”, ka deklaruar ai.