Komuna e Gjilanit ka paraparë të shpenzojë afro 25 mijë euro për furnizimin me një automjet për kryetarin e komunës, shkruan Insajderi.
Sipas specifikimeve teknike të tenderit, automjeti duhet të jetë i prodhimit të vitit 2019 ose më i ri dhe të ketë jo më shumë se katër vite përdorim.
Vetura duhet të jetë limuzinë me katër dyer
Sipas njoftimit të tenderit, kontrata i është dhënë kompanisë “DELTA TRADE RTC” SH.P.K.
Në dosjen e tenderit janë përcaktuar edhe detaje të tjera lidhur me karakteristikat dhe pajisjet që duhet t’i ketë automjeti.

Automjeti i kërkuar duhet të jetë me motor 2.0 litra, me katër cilindra dhe fuqi mbi 200 kuaj fuqi, përkatësisht 150 kW dhe 380 Nm çift rrotullues. Po ashtu, kërkohet të jetë me karburant naftë dhe teknologji Mild Hybrid.
Aty janë përcaktuar edhe një sërë pajisjesh të tjera, përfshirë transmision automatik me shtatë shpejtësi, sistem tërheqjeje 2WD/FWD, standard Euro 6 dhe kamera me sensor 360 gradë.
Automjeti duhet të ketë gjithashtu frenim automatik/ndihmë emergjente, asistencë për korsinë dhe asistencë të distancës përpara, si dhe kapacitet të bagazhit prej së paku 500 litrash dhe jo më shumë se 80 mijë kilometra të kaluara.
Në mesin e specifikimeve janë edhe dritat “IQ.Light – LED Matrix”, klimë automatike me panel me komandë digjitale, ekran digjital me rezolucion të lartë për shoferin, ulëse të përparme me memorie dhe nxemje, si dhe garanci 12-mujore për motorin dhe ndërruesin e shpejtësive
