Basri Beka ka reaguar ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen disa rrëfime për luftën e UÇK-së, duke theksuar se emocionet nuk mund të zëvendësojnë faktet dhe verifikimin gazetaresk.
Beka ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me një person që pretendon se ka qenë pjesë e UÇK-së, se ka marrë pjesë në vijën e frontit dhe se aty ka humbur dorën.
Ai pyet se kur dhe nga kush është kyçur personi në UÇK, në cilën njësi ka shërbyer, kush ka qenë komandanti, çfarë detyre ka pasur dhe në cilin operacion ka marrë pjesë.
Po ashtu, Beka kërkon sqarime se ku, kur dhe si është plagosur, kush ka qenë me të në momentin e plagosjes, ku është evakuuar, në cilin spital është trajtuar dhe nëse ekziston dokumentacion mjekësor për amputimin e dorës.
“Këto nuk janë pyetje armiqësore. Janë pyetje gazetarie”, ka shkruar Beka.
Sipas tij, një rrëfim personal mund të përmbajë emocione të forta, por kjo nuk mjafton për ta përcaktuar një ngjarje si fakt historik.
“UÇK-ja nuk është skenë televizive. Lufta ka pasur njësi, komandë, operacione, urdhra, vende, data, dëshmitarë, plagosje dhe dokumentacion mjekësor”, thekson Beka.
Ai ka shtuar se gazetari duhet të kërkojë të dhëna të verifikueshme për vendin, kohën, njësinë, operacionin dhe dokumentimin e plagosjes.
“Historia nuk verifikohet me lot, emocion dhe mikrofon. Historia verifikohet me fakte”, përfundon Beka.