Protesta “Jo në emrin tim” ka vazhduar edhe sonte në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të shtatën natë me radhë, kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mesin e folësve të mbrëmjes ishte edhe nxënësi i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Gentian Selimi, nipi i ish-kreut të UÇK-së, Rexhep Selimi. Ai tha se, ndonëse nuk e ka përjetuar luftën, brezi i tij ka përgjegjësi ta ruajë kujtesën për sakrificën që solli lirinë e Kosovës.
“Quhem Gentian Selimi. Sot, para jush qëndroj si nxënës i gjimnazit ‘Ahmet Gashi’, si një i ri që luftën nuk e ka përjetuar. Nuk kam qenë aty kur vendi ynë digjej. Nuk kam qenë aty kur familjet largoheshin nga shtëpitë e tyre me dhunë. Nuk kam qenë aty kur djem e vajza të reja vendosën që jetën e tyre t’ia falin shërbimit të lirisë. Por sot, jam këtu pikërisht për shkak të këtij flijimi”, tha Selimim raporton ekonomiaonline, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka deklaruar se liria në të cilën është rritur është rezultat i sakrificës së një brezi para tij.
“Unë jam rritur në liri. Kam mundësi të ëndërroj, të arsimohem, të planifikoj të ardhmen dhe ta quaj Kosovën vendin tim, vetëm sepse një brez para nesh, pa diskutuar, e sakrifikoi gjithçka për liri. Prandaj ne, brezi që nuk e përjetuam luftën, nuk guxojmë të bëhemi brezi që e harron atë”, u shpreh ai.
Selimi tha se pjesëmarrësit e protestës janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
“Sot kemi ardhur për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin! Jemi këtu sepse kemi zërin tonë dhe kemi të drejtë ta theksojmë atë që besojmë. Dhe kjo thirrje sot thotë: Jo në emrin tim! Jo në emrin tim!”, deklaroi ai.