Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Shkodra: Idriz Rrecajn nuk e vrau UÇK-ja, akuzat e deritanishme ishin të rreme

Shkodra: Idriz Rrecajn nuk e vrau UÇK-ja, akuzat e deritanishme ishin të rreme

Ardita Shkodra ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me vrasjen e veprimtarit të LDK-së, Idriz Rrecaj, duke pretenduar se pas rastit qëndron Serbia dhe duke kundërshtuar akuzat e mëhershme që e lidhnin vrasjen me UÇK-në dhe SHIK-un.

Shkodra shkruan se “dje u konfirmua” se Rrecaj ishte vrarë nga Serbia, ndërsa kritikon personat që, sipas saj, kanë akuzuar UÇK-në për këtë vrasje.

Në reagimin e saj, ajo përmend edhe raste të tjera të vrasjeve të figurave politike e publike shqiptare, duke dhënë versione dhe emra të ndryshëm të personave që, sipas saj, janë përgjegjës për këto raste.

Shkodra pretendon se në disa prej këtyre rasteve familjarët e viktimave kanë pasur dijeni për autorët dhe motivet e vrasjeve, ndërsa shprehet se këto raste nuk lidhen me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ajo përmend ndër të tjera vrasjen e Fehmi Aganit, Enver Malokut, Shaban Manajt, Ukë Bytyqit, Sebahate Tolajt, Sadik Musajt, Bekim Kastratit, Besim Dajakut, Ali Ukës dhe Ilir Konushevcit, duke paraqitur pretendime të ndryshme për rrethanat e vrasjeve të tyre.

Në fund të reagimit, Shkodra kritikon edhe juridiksionin kohor të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se rastet e përmendura nuk janë pjesë e hetimit të Gjykatës Speciale.

“Fatkeqësisht, rastet e tyre as nuk janë pjesë e hetimit nga Gjykata Speciale. Aktakuza fillon në mars 1998 dhe mbaron në shtator 1999”, shkruan ajo.

Shkodra pretendon gjithashtu se aktakuza përfshin 97 viktima dhe se shumica e tyre janë serbë, ndërsa pjesa tjetër, sipas saj, janë ish-milici dhe ish-gardianë burgjesh.