Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Basri Beka: Vlerat e luftës së UÇK-së janë liria, sakrifica dhe ndërtimi i një shteti demokratik

Basri Beka: Vlerat e luftës së UÇK-së janë liria, sakrifica dhe ndërtimi i një shteti demokratik

Basri Beka ka publikuar një shkrim ku ka trajtuar atë që ai i konsideron si vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në hyrje të shkrimit, Beka thekson se vlerat e luftës së UÇK-së nuk janë dekor, emra dëshmorësh në pllaka përkujtimore apo slogane që përdoren për interesa të ditës.

“Ato janë parimet për të cilat u luftua, u sakrifikua dhe mbi të cilat duhet të ndërtohet Kosova”, ka shkruar ai.

Beka i ka renditur dhjetë vlera që, sipas tij, përfaqësojnë thelbin e luftës së UÇK-së:

1. Liria – Sipas Bekës, synimi themelor ishte çlirimi i Kosovës nga regjimi represiv dhe sigurimi i së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë.

2. Çlirimi dhe vetëvendosja – Ai shkruan se lufta u zhvillua në funksion të çlirimit politik e kombëtar dhe të së drejtës së popullit të Kosovës për të përcaktuar vetë të ardhmen e tij.

3. Mbrojtja e popullsisë civile – Beka e rendit mbrojtjen e njerëzve nga dëbimet, vrasjet dhe dhuna ndër arsyet kryesore që, sipas tij, e bënë luftën të domosdoshme për shumë kosovarë.

4. Sakrifica – Në shkrim thuhet se mijëra njerëz morën pjesë drejtpërdrejt në luftë, ndërsa qindra mijëra të tjerë bartën pasojat e saj. Sipas Bekës, dëshmorët dhe viktimat civile mbeten në qendër të kujtesës së kësaj lufte.

5. Bashkimi rreth çështjes së lirisë – Beka thekson se UÇK-ja mobilizoi njerëz me prejardhje, bindje dhe orientime të ndryshme politike rreth një objektivi të përbashkët: lirisë së Kosovës.

6. Solidariteti – Ai përmend mobilizimin e gjerë shoqëror gjatë luftës, duke veçuar kontributin e luftëtarëve, familjeve, mërgatës, humanitarëve, gazetarëve dhe qytetarëve.

7. Aleanca me botën demokratike – Beka e cilëson ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 si vendimtare për përfundimin e luftës dhe tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova. Sipas tij, kjo e vendosi çështjen e Kosovës në kuadrin e sigurisë euroatlantike.

8. Shteti demokratik dhe laik – Në këtë pjesë, Beka thekson se Kosova e pasluftës u ndërtua si republikë demokratike, multietnike dhe laike. Ai shkruan se shteti nuk i përket asnjë feje dhe se qytetari nuk duhet t’i nënshtrohet imponimit fetar.

“Liria e besimit është e drejtë; imponimi i besimit nuk është vlerë e luftës”, shkruan Beka.

9. Respekti për jetën dhe dinjitetin njerëzor – Beka thotë se vlera e luftës nuk mund të ndahet nga respektimi i civilëve dhe normave të së drejtës humanitare. Ai thekson se krimet individuale, sipas tij, nuk duhet as të përgjithësohen mbi gjithë UÇK-në dhe as të relativizohen për shkak të qëllimit politik të luftës.

10. Ndërtimi i shtetit pas çlirimit – Sipas Bekës, kuptimi i sakrificës nuk përfundon me mbarimin e luftës. Ai thekson se liria duhet të shndërrohet në një shtet funksional, me ekonomi, industri, siguri, arsim, drejtësi dhe mirëqenie.

“Këto janë vlerat e luftës së UÇK-së”, shkruan Beka.

Më tej, ai thekson se mbrojtja e luftës nuk nënkupton kthimin e saj në “mit të paprekshëm”, por mbrojtjen e asaj që ai e quan të vërtetë historike, sakrificës së njerëzve dhe idealit për të cilin u luftua.

“Dëshmorët nuk ranë që ne vetëm të flasim për lirinë. Ranë që Kosova të jetë e lirë”, ka shkruar ai.