Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona dhe ka sekuestruar një sërë sendesh, përfshirë pesë thika dhe veshje me simbole e mbishkrime nacionaliste, gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Serbisë në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë.
Sipas njoftimit të polisisë, zyrtarët kufitarë, gjatë kontrolleve të shtuara për parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, kanë ndaluar për kontroll të dytë një automjet me targa të Serbisë (VA), në të cilin ndodheshin dy persona, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar pesë thika, dy prej të cilave taktike/luftarake, një kamerë GoPro me mbajtës, dy bluza me simbole dhe mbishkrime nacionaliste, dy pajisje multifunksionale, një flamur të Serbisë, një vulë me katër shkronja “S” dhe mbishkrimin “Udruženje Ljubitelja Srednjovekovnih Borilačkih Sportova, Sremski Karlovci”, si dhe një kartë identiteti.
Në mesin e mbishkrimeve të gjetura në veshje ishin “Freedom or Death”, “Defend Europe since 1312” dhe “Regrut”.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar nën dyshimin për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.