Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Baraliu: Kosova është në emergjencë kombëtare pas vendimit të Hagës, kërkohet mobilizim dhe unitet politik

Baraliu: Kosova është në emergjencë kombëtare pas vendimit të Hagës, kërkohet mobilizim dhe unitet politik

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kosova ndodhet në një situatë që ai e cilësoi si “emergjencë kombëtare”.

Baraliu ka kërkuar mobilizim dhe unitet politik, përfshirë mbledhjen e Kuvendit dhe Qeverisë, ndërsa ka propozuar krijimin e një fondi për mbështetjen e mbrojtjes në procedurën e apelit, si dhe mekanizma për monitorimin e procesit dhe lobimin diplomatik.

“Sigurisht që Serbia do ta përdorë sepse ajo ka investuar shumë në këtë gjykatë dhe vazhdimisht edhe në dimensione të tjera për ta goditur, sulmuar, kritikuar, deri në çnjohje e zhbërje, me qëllim të fundit zhbërjen e shtetit të Kosovës. Prandaj kur gjendemi pas këtij vendimi jashtëzakonisht të dëmshëm për historinë e Kosovës, për vlerat e UÇK-së, për UÇK-në, për atë që është e arritura jonë më e madhe është pikërisht lufta e UÇK-së në këto vite të fundit, nëse doni edhe në shekullin e fundit, atëherë ne jemi në një situatë të të emergjencës kombëtare”, tha ai, për EO.

Sipas Baraliut, në këtë situatë duhet të ketë vendimmarrje të menjëhershme institucionale dhe bashkim të subjekteve politike.

“Kjo situatë nënkupton mobilizim dhe unitet. Mobilizim serioz, të menjëhershëm dhe vendime të menjëhershme, qasje serioze e situatës, që do të thotë mbledhja e Kuvendit, Qeveria paraprakisht dhe Kuvendi pastaj për unitetin dhe unifikimin e partive politike, tërheqja e PDK-së, nëse edhe Aleanca është në parashtresë drejt Gjykatës Kushtetuese nga pretendimet atje, zgjedhja e nënkryetarit nga PDK-ja, zgjedhja e presidentit, votimi i presidentit unanimisht, të gjithë të paktën për ta bërë kuorumin dhe pastaj formimi i një fondi nga Qeveria, i miratuar në Parlament nga të gjitha partitë, pa dallim pozitë-opozitë sepse nuk ka më politikë që duhet udhëhequr sepse edhe ashtu na kanë lodhur këta njerëz, po tashmë jemi në emergjencë kombëtare dhe duhet vepruar pikërisht në funksion të ruajtjes së shtetit dhe mbrojtjes së fryteve të luftës çlirimtare”, tha ai.

Ai ka propozuar që Qeveria të ndajë një fond prej 40 deri në 50 milionë euro për mbështetjen e ekipit mbrojtës në procedurën e apelit.