Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Shumë kritika e pak lëvdata për masat lehtësuese për çmimin e naftës në Gjermani

Shumë kritika e pak lëvdata për masat lehtësuese për çmimin e naftës në Gjermani

Me uljen e taksës për karburantet nga tetori dhe vendosjen e një çmimi tavani për karburantet nga janari, qeveria gjermane synon të frenojë rritjen e kostove të karburantit.

Qeveria gjermane planifikon të zbusë goditjen e çmimeve në pikat e karburantit përmes disa masave dhe thekson, se planet e saj miliardëshe janë ndihmë për të gjithë. “Ne po veprojmë sepse qytetarët dhe bizneset kanë nevojë tani për lehtësime konkrete”, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche. Sipas politikanes së CDU-së, ulja e miratuar prej 17 centësh për litër karburant dhe tavani i planifikuar i çmimeve do t’u sjellin përfitime familjeve, sektorit të zejtarisë, ndërmarrjeve të mesme dhe industrisë.

Si gjatë verës, ulja e taksës mbi energjinë synon ta bëjë një litër naftë ose benzinë rreth 17 cent më të lirë. Ky lehtësim pritet të jetë në fuqi nga tetori deri në fund të vitit. Kostoja e masës vlerësohet të arrijë në rreth 2,5 miliardë euro. Qeveria gjermane po ashtu synon të vendosë një tavan për çmimin e karburanteve jo më vonë se 1 janari, një kërkesë që SPD-ja e ka mbështetur prej kohësh. Bëhet fjalë për një çmim maksimal të përcaktuar nga shteti për karburantet në pikat e furnizimit, i ngjashëm me modelet që zbatohen në Luksemburg dhe Belgjikë.

Njoftimi për lehtësimet është pritur pozitivisht, ndër të tjera, nga Shoqata Gjermane e Fermerëve dhe sektori i logjistikës. “Ne e mirëpresim këtë propozim për uljen afatshkurtër të taksës mbi energjinë për karburantet”, deklaroi presidenti i fermerëve, Joachim Rukwied, për gazetën Bild. Por njëkohësisht, ai kërkoi masa të mëtejshme. Sipas tij, synimi duhet të jetë që çmimi i naftës në Gjermani të afrohet në mënyrë të qëndrueshme me nivelin e shumë vendeve fqinje evropiane. “17 cent për litër mund të zbusë barrën akute financiare”, vlerëson edhe kreu i Federatës Gjermane të Transportit të Mallrave, Logjistikës dhe Menaxhimit të Mbetjeve, Dirk Engelhardt. Megjithatë, sipas tij, vendimtare është që tavani i paralajmëruar i çmimeve të zbatohet vërtet dhe të funksionojë sidomos në periudhat kur çmimet e naftës bruto arrijnë nivele jashtëzakonisht të larta, sipas gazetës Bild.