Raphinha ka dhënë sinjal të qartë se dëshiron të vazhdojë karrierën te Barcelona, duke lënë të hapur mundësinë e rinovimit të kontratës edhe përtej vitit 2028.
“E rinovova kontratën deri në vitin 2028 duke menduar se deri atëherë do të isha 30 ose 31 vjeç [Braziliani mbush 30 vjeç më 14 dhjetor] dhe nuk e dija se në çfarë forme do të isha. Por pas mënyrës se si e kam nisur sezonin, kam kuptuar se mund të vazhdoj edhe për disa vite të tjera. Prandaj, po, do të isha i lumtur ta zgjas kontratën edhe pak dhe ta përfundoj karrierën time këtu, pa pasur nevojë të shkoj diku tjetër”.
Kështu deklaroi Raphinha në një intervistë paraprake për radio-stacionin “RAC1”, e cila pritet të transmetohet e plotë më vonë.
Deklarata e brazilianit vjen në një kohë kur rinovimi i kontratës së tij me Barcelonën është diskutuar prej javësh.
Raphinha iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2022, pas transferimit nga Leeds United. Në atë kohë, agjenti i tij ishte Deco, i cili më vonë mori detyrën e drejtorit sportiv të klubit katalanas.
Sulmuesi brazilian ishte në qendër të spekulimeve për një largim të mundshëm gjatë javëve të fundit të sezonit të kaluar. Në të njëjtën kohë, ai u përfshi edhe në raportime për një krizë të pretenduar familjare që kishte ndikuar në financat e familjes së tij.
Kjo situatë, së bashku me disa lëndime që e penguan të paraqitej në nivelin e tij më të mirë në fund të sezonit, shtoi zërat për një transferim të mundshëm.