Këshilli Prokurorial i Kosovës ka avancuar prokurorët Veton Shabani dhe Ersan Qavolli në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, gjatë takimit të 303-të të mbajtur të premten nën drejtimin e kryesuesit Arian Gashi.
Gjatë kësaj mbledhjeje, KPK-ja mori një sërë vendimesh që lidhen me avancimin dhe transferimin e prokurorëve, vlerësimin e performancës, funksionimin e komisioneve dhe ndryshimin e rregulloreve të brendshme.
Këshilli miratoi raportin e Komisionit për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit, duke i avancuar Shabanin dhe Qavollin në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Po ashtu, u miratua transferimi i përhershëm i prokurorëve Virtyte Gërvalla dhe Shaqir Sertolli në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
KPK-ja miratoi edhe transferimin e përhershëm të prokurorit Dardan Çela në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ndryshime pati edhe në Komisionin për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive. Këshilli miratoi dorëheqjen e Dardan Vuniqit nga pozita e kryesuesit, ndërsa në këtë funksion caktoi Arlinda Muqën.
Në pjesën tjetër të takimit u miratua raporti i plotësuar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, përkatësisht Mekanizmi i Raportimit Vjetor për vitin 2025 i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Raporti ishte plotësuar pas kërkesave të paraqitura më herët nga Këshilli.
Gjithashtu, u miratuan mekanizmat e raportimit vjetor për vitin 2025 të kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore në Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan.
KPK-ja miratoi Rregulloren për Komisionin për Çështje Normative, si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores nr. 05/2023 për organizimin e brendshëm dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit.
U miratuan edhe ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores nr. 05/2026 për klasifikimin e vendeve të punës të administratës në Sistemin Prokurorial.
Në këtë takim u shqyrtuan tri raporte për vlerësimin e performancës së gjithsej 22 prokurorëve të shtetit, së bashku me kundërshtimet e paraqitura ndaj tyre.
Pas shqyrtimit, Këshilli miratoi vlerësimet për 21 prokurorë. Ndërkaq, kundërshtimi i një prokurori u aprovua dhe vlerësimi i tij u kthye për rishqyrtim në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, KPK-ja shqyrtoi një ankesë në një çështje disiplinore ndaj një prokurori dhe vendosi ta refuzojë atë. Këshilli nuk e bëri publik identitetin e prokurorit ndaj të cilit ishte paraqitur ankesa.