Feim Krasniqi ka shprehur mirënjohje dhe respekt për doktorin e luftës, Dr. Agim Hazrolli, duke kujtuar kontributin e tij dhe të stafit shëndetësor gjatë luftës së Kosovës.
Krasniqi ka bërë të ditur se Dr. Hazrolli, së bashku me stafin e tij, gjatë luftës kishte kryer mbi 500 operacione në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe pa pajisjet e mundësitë mjekësore që ekzistojnë sot.
Ai ka treguar edhe përvojën e tij personale, duke thënë se 28 vjet më parë, Dr. Agim Hazrolli kishte kryer tri ndërhyrje në plagët e tij, në kushte lufte.
“Unë jam një prej atyre që sot jam gjallë falë punës dhe përkushtimit të tyre”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, Dr. Hazrolli dhe stafi i tij kanë shërbyer në Spitalin Ushtarak të Zonës së Pashtrikut, në Gajrak, Breshan, Pagarushë, Kravasari, Semetisht, Panorc, Sferkë dhe në shumë vende e fshatra të tjera, duke u kujdesur për të plagosurit.
Krasniqi ka falënderuar doktorin Hazrolli për punën dhe përkushtimin e tij gjatë luftës.
“Faleminderit për çdo jetë që e shpëtuat, për çdo plagë që e mjekuat dhe për çdo ushtar që e kthyet te familja”, ka shkruar ai.
Në fund, Krasniqi ka shprehur respekt të përjetshëm për Dr. Agim Hazrollin dhe gjithë stafin shëndetësor që shërbeu gjatë luftës, duke përkujtuar edhe të gjithë ata që, sipas tij, sakrifikuan për lirinë e Kosovës.