Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Çitaku: Çka ka e çka s’ka, s’ka njohje e ka Asociacion

Çitaku: Çka ka e çka s’ka, s’ka njohje e ka Asociacion

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sot u shpreh se kryeministri Albin Kurti e ka degraduar dialogun me Serbinë.

Sipas saj, derisa dikur flitej për njohje reciproke mes të dyja vendeve, sot flitet për një status-quo të re pa njohje e me Asociacion.

“Çka ka e çka s’ka, s’ka njohje e ka Asociacion fatkeqësisht kryeministri Kurti e ka degraduar procesin e dialogut si është e mundur që jemi katandisur në këtë pikë kur para 2-3 vitesh vetë presidentët e SHBA-ve kanë folur për njohjen reciproke si zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë e sot flasin për një status-quo të re pa njohje e me Asociacion. Ky është degradim i procesit nga ana e kryeministrit Kurti, ku janë targat, ku është qarkullimi i lirë kemi një degradim të plotë fatkeqësisht”, tha Çitaku.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës gjatë një konference për medie, adresoi kritika për Qeverinë e Kosovës për skandalet e ditëve të fundit, të cilat sipas saj janë mbrojtja e pakusht për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, mohimi i fjalës për ushtarin e UÇK-së dhe elozhe për Oliver Ivanoviqin dhe ngecja e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ditëve të fundit dhe jo vetëm nga qeveria Kurti ka mbrojtje të pakusht dhe të parezerv për Martin Berishaj, nuk ka sjellje të tij para drejtësisë, ka mohim të fjalës për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe elozhe për Oliver Ivanoviqin. Ka ç’njohje dhe ngecje të fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës, s’ka procedim e aplikacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka një Albin Kurt në opozitë dhe ka një Albin Kurt tjetër në Qeveri”, u shpreh ajo.

Nënkryetarja e PDK-së gjatë konferencës për medie foli për ambasadorin Martin Berishaj, për të cilin tha se shkarkimi nuk mjafton.

Sipas saj, afera e Martin Berishaj është maja e Ajzebergut të një mafie energjetike e lidhur me politikën.

“Tek afera e Martin Berishaj shkarkimi nuk mjafton të dhënat e publikuara nga mediet e ndryshme ndërkombëtare duhet të jenë alarm për institucionet e Republikës së Kosovës për më tepër sot se kurrë kryeministri duhet të jap përgjigje në një varg pyetjesh që ne i kemi parashtruar shumë kohë më parë si i është dhënë shtetësia Martin Berishaj brenda natës? si e ka certifikatën e sigurisë nga AKI a janë përdorur 1 milionë e 470 mijë euro për të financuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje…Ministrja mendoj se e ka këtu fajin më të vogël, kupola e shtetit është vënë në mbrojtje të Martin Berishaj, presidentja, kryeministri, dhe pa një hall të madh nuk do të ekziston një angazhim kaq masiv për të mbrojtur një ambasador i cili është i diskredituar në mediet ndërkombëtare. Faturat e publikuara nuk janë llafe, janë fakte dhe ne duhet të dimë dhe duhet të kuptojmë ku kanë shkuar ato para kur tërhiqet një shumë aq e madhe e parave institucionet duhet të vihen në alarm çfarë është ndërmarrë në Kosovë përveç deklaratave mbështetëse këtu ka diçka dhe kjo që po shohim është vetëm maja e Ajzbergut të një mafie energjetike e cila duket se është e lidhur ngusht me politikën”, nënvizoi ajo.

E lidhur me tërheqjen e njohjes së shtetit të Togos ndaj shtetësisë së Kosovës, Çitaku u shpreh se kjo po ndodh derisa priteshin njohje të reja.

Ajo e konsideroi të dhimbshëm faktin që siç u shpreh, aplikimi i Kosovës për në Këshillin e Evropës ka mbetur i ngrirë.

“Në diplomaci dje ministri i Jashtëm i Togos njoftoi se e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës kur ne prisnim njohje të reja, por kjo nuk është pjesa më e dhimbshme. Pjesa më e dhimbshme është që një organizatë si Këshilli i Evropës që ne tashmë e kemi shumicën e vendeve që na kanë njohur nuk ka procedim të aplikacionit tonë, aplikacioni jonë është ngrirë, që nënkupton që ne nuk po arrijmë t’i mirëmbajmë as raportet me vendet që na kanë njohur”, theksoi nënkryetarja e PDK-së.

Çitaku e komentoi edhe deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila dje tha se sistemi i drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet në drejtim të hetimit dhe gjykimit të shumë krimineleve të luftës.

Sipas nënkryetares së PDK-së, kjo Qeveri nuk ka bërë përpjekje për zbardhjen e krimeve të luftës.

“Deklaratat e tilla më së paku i shërbejnë drejtësisë, kjo qeveri i ka llafet si malushi e punët si askushi, nuk kam parë asnjë përpjekje nga ana e institucioneve të Kosovës e as nga ministrja e Drejtësisë për të bërë më shumë në zbardhjen e krimeve të luftës, në fakt çfarë kemi parë nga ana e institucioneve është një ligj kontrovers i cili afatet e luftës në Kosovë i dërgon deri në dhjetor të vitit 1999”, shtoi ajo.

/TV Arbëria