Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Rekordi i Jamie Vardyt thyhet pas 14 vitesh

Rekordi i Jamie Vardyt thyhet pas 14 vitesh

Anësori i Boreham Wood, Abdul Abdulmalik, pritet të bëhet futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit jashtë ligave profesioniste në Angli, duke thyer rekordin 14-vjeçar të Jamie Vardyt.

Vardy hyri në histori në vitin 2012, kur u largua nga skuadra e National League, Fleetwood Town, për t’iu bashkuar Leicester Cityt në një marrëveshje prej 1 milion funteve.

Fleetwood kishte përfshirë në marrëveshje edhe një klauzolë “të konsiderueshme” për përqindje nga një shitje e ardhshme, por nuk përfitoi asnjë qindarkë tjetër, pasi Vardy qëndroi 13 vite te Leicesteri dhe u largua si lojtar i lirë në vitin 2025.

Shifra mbeti e paprekur për shumë vite, por me tarifat e mëdha të transferimeve që kanë nisur të bëhen gjithnjë e më të zakonshme edhe në klubet e EFL-së, ky trend ka filluar të reflektohet edhe në National League.

AFC Fylde shiti sulmuesin e ri Danny Ormerod, djalin e ish-sulmuesit të Blackpool, Brett Ormerod, për rreth 600 mijë funte te Peterborough United, që garon në League One, në fillim të kësaj jave.

Ndërkohë, saga rreth anësorit 23-vjeçar të Boreham Wood, Abdulmalik, ka vazhduar për pjesën më të madhe të afatit kalimtar veror.

Skuadra e Luke Garrard, e cila sezonin e kaluar arriti deri në finalen e play-offit të National League, ku humbi me penallti ndaj Rochdale, kishte refuzuar tri oferta në vlerë mbi 1 milion funte nga skuadra suedeze Djurgardens për anësorin.

Abdulmalik ka qenë një nga lojtarët më të kërkuar të futbollit jashtë ligave profesioniste këtë vit, pasi sezonin e kaluar shënoi 15 gola dhe dhuroi nëntë asistime në National League.

Ish-lojtari i akademisë së Millwall bëri praktikisht një kërkesë publike për transferim përmes llogarisë së tij në Instagram të mërkurën.

Ai shkroi: “Ky është shansi im për ta shtyrë veten edhe më tej si futbollist, për ta ngritur nivelin e lojës time dhe, mbi të gjitha, për ta mbajtur premtimin që ua kam dhënë njerëzve rreth meje. Mundësi të tilla janë të rralla, sidomos në National League, ku shumë talente që punojnë jashtëzakonisht shumë mbeten të anashkaluara… nuk ka garanci se të njëjtat mundësi do të vijnë përsëri”.

Tani, sipas “BBC Sport”, Boreham Wood ka pranuar një ofertë “mbi 1.5 milionë funte” për ta shitur Abdulmalikun te Djurgardens.

Shifra e saktë ende nuk është bërë publike, por Boreham Wood kishte refuzuar më parë një ofertë të tretë prej 1.5 milionë funtesh për anësorin.

Abdulmalik e zhvilloi ndeshjen e tij të fundit për klubin e National League më 15 gusht, ndaj FC Halifax, ku shënoi një gol dhe dhuroi një asistim në fitoren 3-1.

Ai nuk ishte i përfshirë në dy ndeshjet e fundit të Boreham Wood, përfshirë fitoren 2-1 ndaj Boston United të shtunën.

Skuadra që shumë shpejt do të jetë ish-klubi i Abdulmalikut aktualisht renditet në vendin e dytë në nivelin e pestë të futbollit anglez, pas tri ndeshjeve të zhvilluara, me tri fitore dhe një barazim. Në krye ndodhet Sutton United, që ka një rekord prej 100 për qind.