Organizata “Shqiptaria” ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, duke e kritikuar për qëndrimet e tij lidhur me debatin për BIK-un dhe dokumentin e pretenduar “Top Secret”.
Në reagim, organizata thekson se Tërnava, si kryetar i BIK-ut, përfaqëson një institucion fetar dhe jo popullin e Kosovës.
“Zoti Tërnava, ju nuk e përfaqësoni popullin e Kosovës!”, thuhet në reagimin e Organizatës “Shqiptaria”.
Organizata mohon se kritikat e saj kanë për qëllim sulmin ndaj besimit islam, duke deklaruar se kundërshton atë që e konsideron si elemente politike, antikushtetuese dhe antikombëtare që mund të fshihen pas institucioneve fetare.
Në reagim, “Shqiptaria” kërkon nga BIK-u që të ofrojë prova dhe dokumente për të demantuar pretendimet që lidhen me dokumentin “Top Secret”, ndërsa kërkon që çdo çështje që lidhet me të të sqarohet nga Prokuroria Speciale dhe institucionet kompetente.
Organizata ka ngritur gjithashtu pyetje për qëndrimet e BIK-ut gjatë periudhës së radikalizimit dhe rekrutimit të të rinjve nga Kosova për luftërat në Siri gjatë viteve 2012–2014.
“Shqiptaria” e akuzon Tërnavën se po e zhvendos debatin nga përmbajtja e pretendimeve drejt kritikuesve të BIK-ut dhe kërkon transparencë lidhur me financimet, aktivitetet edukative, institucionet dhe veprimtarinë e këtij institucioni fetar.
Në fund të reagimit, organizata thekson se nuk e kundërshton lirinë fetare, por shprehet kundër asaj që e quan “islam politik”, radikalizim dhe çdo përpjekje për ta vendosur identitetin fetar mbi identitetin kombëtar dhe shtetin kushtetues.
“Ne nuk kemi frikë nga feja. Ne kemi problem me politikën që fshihet pas fesë”, thuhet në reagimin e Organizatës “Shqiptaria”.
Reagimi përmbyllet me pyetjen drejtuar qytetarëve: “Në fund, a duhet populli t’i besojë shtetit apo juve?”