Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me nënkryetarët Florian Dushi dhe Besiana Musmurati, kanë kërkuar hetim të plotë dhe të paanshëm lidhur me çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe kontratën e lidhur në vitin 2021 me një kompani të themeluar vetëm një javë para shpalljes së procesit publik.
Sipas dokumentacionit zyrtar të prezantuar nga Kryeqyteti, procedurat për këtë projekt janë zhvilluar gjatë vitit 2021, në kohën kur Prishtina qeverisej nga Lëvizja Vetëvendosje
Kronologjia e vendimeve, sipas Kryeqytetit, është kjo:
Më 27 prill 2021 është marrë vendimi përkatës;
Më 17 maj 2021 është nënshkruar kontrata;
Më 16 gusht 2021 është lëshuar leja e ndërtimit;
Më 5 tetor 2021 është nënshkruar aneks-kontrata.
Kryeqyteti thekson se qeverisja aktuale nuk e ka iniciuar, negociuar apo nënshkruar këtë kontratë, duke argumentuar se dokumentacioni përmban datat, nënshkrimet dhe emrat e personave përgjegjës për vendimet e marra në atë periudhë.
Sipas drejtuesve të Prishtinës, gjatë mandatit aktual janë bërë kërkesa të vazhdueshme që çështja të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësive dhe mbrojtjes së pronës publike.
Çështja ka marrë një dimension të veçantë për shkak të pretendimit se NPB-ja mund të ngarkohet me një detyrim prej më shumë se 32 milionë eurosh, në emër të fitimit të pretenduar të humbur nga një projekt që, sipas Kryeqytetit, nuk është realizuar asnjëherë.
Për këtë arsye, institucionet e Prishtinës kërkojnë të përcaktohet se cili veprim konkret i NPB-së pretendohet se ka shkaktuar mosrealizimin e projektit, si dhe mbi çfarë baze juridike dhe faktike është përllogaritur shuma prej mbi 32 milionë eurosh.