Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Hisen Berisha: Ukraina mund të jetë fillimi i fundit të projektit imperial të Putinit

Hisen Berisha: Ukraina mund të jetë fillimi i fundit të projektit imperial të Putinit

Deputeti i PDK- së dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Hisen Berisha, në një analizë të tij ka trajtuar zhvillimet e luftës në Ukrainë dhe ndikimin që ajo mund të ketë në të ardhmen e Rusisë dhe të regjimit të Vladimir Putinit.

Berisha argumenton se pushtimi rus, i cili fillimisht ishte menduar si një “luftë e shpejtë”, është shndërruar në një luftë të gjatë konsumimi, duke vënë në presion kapacitetet ushtarake, ekonomike dhe politike të Rusisë.

Sipas tij, Ukraina nuk u dorëzua, shteti ukrainas nuk u shemb dhe Rusia nuk arriti objektivin strategjik për të cilin e nisi pushtimin. Ai vlerëson se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës kritike ruse, veçanërisht me dronë, po e detyrojnë Moskën të shpenzojë gjithnjë e më shumë burime për mbrojtjen e territorit dhe kapaciteteve të saj ekonomike.

Berisha thekson se një rafineri, një qendër logjistike apo një fabrikë nuk janë vetëm objekte fizike, por pjesë e sistemit që furnizon makinën ushtarake ruse. Për këtë arsye, ai e sheh strategjinë ukrainase të goditjes së kapaciteteve kritike si një mënyrë për ta konsumuar Rusinë përmes kostove të luftës.

Në analizën e tij, Berisha ndalet edhe te transformimi i ekonomisë ruse në ekonomi lufte, duke argumentuar se sa më gjatë të zgjasë konflikti, aq më shumë shteti detyrohet të marrë kontroll mbi ekonominë dhe të rrisë shpenzimet publike, ndërsa kjo mund të dobësojë bazën ekonomike që e mban në këmbë luftën.

Ai e lidh këtë situatë edhe me të ardhmen e regjimit të Vladimir Putinit, duke theksuar se një mandat i gjatë në pushtet nuk është domosdoshmërisht garanci për stabilitet politik.

Berisha e zgjeron analizën edhe në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar kundër personalizimit të pushtetit, dobësimit të institucioneve, nacionalizmit të pakontrolluar dhe militarizimit.