Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është në “panik ligjor” për veprimet që ka ndërmarrë, ndërsa ka thënë se veprimet e tjera politike të VV-së janë “alibi” për të mos gjetur zgjidhje për krizën institucionale.
Ramadani ka thënë se thelbi i situatës politike në Kosovë mbetet moskonstituimi i Kuvendit.
“Sot është dita e 18 e bllokadës së re, pas qindra ditëve të bllokadave të kaluara që ka bërë VV dhe është duke vazhduar ta bëjë. Thelbi i krejt situatës në të cilën është Kosova, është moskonstituimi i Kuvendit. Unë mendoj që VV-ja është në panik ligjor dhe jo vetëm politik për veprimet që ka bërë dhe ata e kanë vendos me dërgu vendin në zgjedhje dhe gjitha të tjerat janë vetëm alibi”, tha ai, raporton eo.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Ramadani ka përsëritur se Aleanca nuk është e interesuar për marrëveshje politike partiake, por ka theksuar se mbështetja e saj varet nga gjashtë kërkesat që kjo parti i ka paraqitur.