Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ​KOK-u nënshkruan memorandum bashkëpunimi me katër shtete

​KOK-u nënshkruan memorandum bashkëpunimi me katër shtete

Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Francës, atë të Shqipërisë, Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut.

Memorandumi, i cili do të quhet “Balkans Cooperation 5 (BC5)” nënkupton bashkëpunimin edhe më të fuqishëm ndërmjet këtyre komiteteve me qëllim të avancimit në organizimin e garave sportive si dhe rritjen e kualitetit në shumë fusha të tjera.

Më këtë rast, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi e cilësoi si ditë historike për Kosovë duke thënë se nga kjo marrëveshja e cila do të zgjas deri në vitin 2028 do të përfitojnë të gjitha shtete nënshkruese.

Krasniqi: Kjo është ditë historike për Kosovën

“Vërtetë është sot një ditë historike për Komitetin Olimpik të Kosovës, në veçanti që kjo marrëveshje e cila po quhet “Balkans Cooperation 5 (BC5)” po nënshkruhet pikërisht në Prishtinë dhe falënderoj të gjithë presidentët dhe përfaqësuesit nga Komitetet olimpike siç janë Franca, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi për këtë marrëveshje, për këtë bashkëpunim që besoj se do të jetë ndihmë e madhe për Kosovën por edhe për të gjitha komitetet të cilat e nënshkruajnë këtë marrëveshje. Pra ne do të vazhdojmë, do të punojmë bashkë dhe ky bashkëpunim do të zgjasë deri në vitin 2028.”, tha Krasniqi.

Ndërsa i pari i Komotetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli tha se vendet ballkanike kanë potencial të jashtëzakonshëm në sport dhe se këtë duhet ta dëshmojnë përmes projekteve të ndryshme pas kësaj marrëveshje bashkëpunimi.

Ylli: Vendet ballkanike kanë potencial të jashtëzakonshëm në sport

“Unë do të doja që të gjithë presidentët që jemi në këtë tavolinë, por sidomos zëvendëspresidenti i Komitetit Olimpik të Francës që është edhe kandidat për president të Federatës Evropiane të Basketbollit ne të operojmë bashkarisht sepse duke qenë të gjithë bashkë, duke bashkuar idetë tona të jeni të sigurt që vendet ballkanike kanë një potencial të jashtëzakonshëm çoftë në basketboll, volejboll, mundje, peshëngritje, xhudo, atletikë, not dhe në shumë sporte individuale.”, tha Ylli.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti i KO të Francës, Pierre Siutat, u shpreh i lumtur që ndodhej në Kosovë, për të nisur një bashkëpunim mes KO të Kosovës, por edhe Komiteteve tjera Olimpike fqinje. Ai tha se është i befasuar me nivelin e lartë të sportit në Kosovë.

Siutat: Jam i befasuar me nivelin e lartë të sportit në Kosovë

“Jemi shumë të lumtur ta nënshkruajmë këtë marrëveshje. Për ne është e rëndësishme sigurisht derisa Franca organizon ë Lojërat Olimpike dhe hapi i parë për ne është që t’i bëjmë miqtë tanë në kushte të mira që të përgatiten për Lojërat Olimpike në Paris. Ju thash më parë, unë jam shumë i impresionuar me nivelin e sportit në këtë vend…Ne vërtetë duam të jemi të suksesshëm në këtë formë sepse sigurisht siç e them çdo herë kemi fëmijët që e duan sportin, si në Kosovë, Shqipëri apo Francë, ata e duan sportin dhe ne të gjithë së bashku jemi këtu për t’i ndihmuar fëmijët të kenë sukses.”, tha Siutat.

Shumë të rëndësishme këtë memorandum bashkëpunimi e konsideroi edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, Daniel Dimevsk. Ai tha se do të krijohet një grup për organizimin e një ngjarje të madhe në këto vende.

Dimevski: Do të aplikojmë për organizimin e një ngjarje të madhe në vendet tona

“Të dashur miq nga Kosova. Sot jemi të privilegjuar të jemi të gjithë bashkë, pesë vende, pesë miq të shkëlqyer, jemi miq edhe në jetën private, ndajmë të njëjtin pasion, ndajmë të njëjtën ide. Mendoj se si grup njerëzish, si grup shtetesh mund të bëjmë shumë duke filluar të ndajmë përvojën tonë, si ta zhvillojmë sportin tonë gjithnjë e më mirë, por tani zbuluam se si rajon jemi shumë më të fortë. Ne do të fillojmë të krijojmë një grup për të aplikuar për një ngjarje në shumë vende. Pra, mendoj se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit të radhës shumë të frytshëm, veçanërisht sepse grupi ynë tani është përmirësuar me mikun tonë të shkëlqyer, Jean Pierre nga Franca, tani jemi shumë më të fortë sepse Franca është një vend shumë i fortë sportiv, por gjithashtu, Jean Pierre është një sportist me shumë eksperiencë dhe mendoj se ky grup do të krijojë një ndikim të madh të sportit në përgjithësi, por gjithashtu do japim ndikim me bashkëpunimin mes vendeve tona në rajon.”, tha ai.

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Malit të Zi, Igor Vushuroviq, theksoi kjo marrëveshje e bënë shumë të lumtur derisa u shpreh i impresionuar nga arritjet e mëdha që Kosova i ka pasur viteve të fundit në arenën ndërkombëtare në fushën e sportit.

Gjatë ditës, përfaqësuesit e Komiteteve Olimpike të të gjitha shteteve u pritën në takim nga zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.

Themes by WordPress