Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Sekuestrohen armë pas dyshimeve për të shtëna me armë zjarri në një aheng në Malishevë

Sekuestrohen armë pas dyshimeve për të shtëna me armë zjarri në një aheng në Malishevë

Policia e Kosovës ka sekuestruar disa armë zjarri dhe gëzhoja pas dyshimeve se gjatë një ahengu familjar në fshatin Lladrovc të Malishevës janë përdorur armë.

Rasti ka ndodhur dje, tha Policia, e cila njoftoi se veprimet operative dhe hetimore i ndërmorën pas pranimit të informacioneve dhe ngritjes së dyshimit të arsyeshëm.

“Stacioni Policor në Malishevë, bazuar në informacionet e pranuara dhe mbi dyshimin e arsyeshëm se gjatë një ahengu familjar më datë 09.08.2026 në fshatin Lladrovc-Malishevë janë përdorur armë zjarri, në koordinim dhe konsultim me prokurorin kompetent ka ndërmarrë veprime policore, operative dhe hetimore. Si rezultat, sot është realizuar kontroll në vendbanimin e personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit në oborrin ku ishte organizuar ahengu, Policia tha se “janë gjetur dhe sekuestruar 4 gëzhoja, si dëshmi materiale për rastin”.

“Ndërkaq, në automjetet e parkuara në afërsi të vendit ku është organizuar ahengu, pronë e të dyshuarve, janë gjetur dhe sekuestruar: një armë e gjatë automatike e tipit AK-47 me një karikator, një armë e gjatë gjysmë automatike, si dhe një pistoletë me gaz me një karikator dhe 4 fishekë. Të gjitha këto janë sekuestruar si dëshmi materiale për rastin”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me rastin, Policia tha se “në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar katër persona meshkuj të moshës madhore, nën dyshimin se të njëjtit kanë përdorur armët e sekuestruara”.

“Në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm”, ndërsa rasti do të trajtohet më tej në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.