Shkruan: Basri Beka
Mbrëmë isha në dasmën e Diellonës dhe Vlonjatit. Uroj nga zemra që të kenë një jetë të gjatë e të lumtur, me trashëgimi e prosperitet. Ishte një dasmë e mrekullueshme, me atmosferë, muzikë dhe miq e familjarë që i dhanë hijeshi çiftit të ri.
Por, në një tavolinë, një i afërm më bëri një pyetje që më ngacmoi:
“Basri, pse po je kaq aktiv në jetën publike dhe po e humb kohën tënde të çmuar?”
Iu përgjigja pa menduar gjatë:
“Sepse nuk dua ta humbim ne shqiptarët këtë mënyr tonë të jetesës.”
Shikoje këtë dasmë: njerëzit vallëzojnë, kënaqen dhe respektojnë njëri-tjetrin. Askush nuk paragjykon askënd. Askush nuk e ngacmon tjetrin. Burrat dhe gratë janë bashkë, familjet janë bashkë, të gjithë festojnë dhe e shijojnë gëzimin e njëri-tjetrit.
Askush nuk ka nevojë të izolohet nga tjetri për të ruajtur moralin.
Tani imagjinojeni të njëjtën dasmë me burrat në njërën anë dhe gratë në tjetrën.
“Imagjino sikur në këtë dasmë dasmorët të ishin ndarë sipas gjinisë. Çfarë atmosfere do të kishte? Sa e zymtë, sa e mjerë dhe sa larg traditës sonë do të dukej? Dhe, mbi të gjitha, çfarë morali do të ndërtohej mbi ndarjen, dyshimin dhe hipokrizinë?”
Ne nuk duhet të lejojmë që dikush të na imponojë një kulturë të huaj si model për shoqërinë tonë.
Dhe pikërisht këtu qëndron beteja.
Nuk dua që nesër fëmijëve tanë t’u thuhet se ndarja është moral, izolimi është edukatë, frika është respekt dhe gëzimi i përbashkët është turp.
Ne shqiptarët kemi kulturën tonë. Kemi traditën tonë. Kemi mënyrën tonë të të festuarit, të të respektuarit dhe të të jetuarit bashkë.
Nuk kemi nevojë të importojmë morale që nuk na përkasin.
Prandaj, po, po e “humb” kohën time të çmuar.
E humb duke mbrojtur lirinë, kulturën dhe mënyrën shqiptare të jetesës.
Sepse, nëse nuk e mbrojmë sot, nesër mund të zgjohemi dhe të kuptojmë se na e kanë ndryshuar shoqërinë, duke na bindur se po na e ruajnë moralin.
Në fund, i afërmi im më tha:
“Atëherë ia vlen të bësh përpjekje edhe më shumë.”
Dhe pikërisht për këtë arsye do të vazhdoj.
Sepse kultura shqiptare nuk ka nevojë të izolohet për të ruajtur moralin. Ajo ka nevojë të mbrohet nga çdo ideologji që kërkon ta zëvendësojë atë.