Basri Beka
Një fjalë e urtë e popullit thotë: “Njeriut sa është gjallë nuk i këndohet këngë.” Kjo dije empirike e popullit po dëshmohet edhe një herë e saktë. Njeriu, si qenie psikologjike dhe politike, mund të transformohet. Lakmia, frika, pasiguria dhe, mbi të gjitha, dëshira për pushtet mund ta ndryshojnë edhe mënyrën se si një njeri e trajton të vërtetën.
Këtë shkrim po e bëj për shkak të një shkarjeje të madhe të Fatmir Limajt, ish-komandant i UÇK-së, në fjalimin e tij me rastin e vendosjes së gurthemelit të një xhamie në Malishevë, ku deklaroi:
“Xhamitë në Kosovë kanë qenë burim shprehjeje, rezistencë dhe shërbim ndaj popullit të tyre.”
Problemi nuk është ndërtimi i një xhamie. Në një shtet laik, secili qytetar ka të drejtë të praktikojë fenë e tij dhe çdo komunitet fetar ka të drejtë të ndërtojë objektet e veta, në përputhje me ligjin.
Problemi është tjetërkund: te përpjekja për ta rishkruar historinë e luftës së Kosovës dhe për t’i atribuar Bashkësisë Islame një rol që nuk e ka pasur.
Fatmir Limaj, si ish-komandant i UÇK-së, e di shumë mirë se çfarë ndodhi në vitet 1998–1999. Ai e di kush luftoi. E di kush dha jetën. E di kush furnizoi, strehoi, mjekoi dhe mbështeti luftën. E di gjithashtu se Bashkësia Islame e Kosovës, si institucion fetar, nuk ka pasur ndonjë rol vendimtar në organizimin, zhvillimin apo drejtimin e luftës së UÇK-së.
Ka pasur shqiptarë myslimanë që kanë luftuar. Ka pasur edhe klerikë që mund të kenë dhënë ndihmë individuale. Por kjo është krejt tjetër nga pretendimi se xhamitë si institucion kanë qenë “burim rezistence” dhe “shërbim ndaj popullit” në kuptimin që po tentohet të ndërtohet sot.
Këtu duhet bërë dallimi mes besimit individual të shqiptarëve dhe rolit institucional të një bashkësie fetare. Mos t’i përziejmë këto dy gjëra për interesa politike.
E kuptoj edhe kulturën tonë të mikpritjes. Kur je mysafir, flet mirë për nikoqirin. Edhe kur shkon në një familje në ditë zie, respekton të ndjerin dhe zgjedh fjalët me kujdes. Kjo është njerëzore.
Por një politikan, aq më tepër një ish-komandant i UÇK-së, nuk mund ta paguajë mirësjelljen me të vërtetën historike.
Fatmir Limaj duhej të ishte më i kujdesshëm.
Duhej të respektonte të vërtetën.
Duhej të respektonte vetveten.
Duhej të respektonte luftën.
Dhe mbi të gjitha, duhej të respektonte ata që ranë për Kosovën.
Sepse luftën e Kosovës nuk e bënë institucionet fetare. E bënë njerëzit. E bënë mësuesit, profesorët, punëtorët, fshatarët, studentët, intelektualët dhe mbi të gjitha mijëra burra e gra që morën armët dhe u përballën me makinerinë ushtarake e policore serbe.
Vetëm në arsimin e Kosovës, gjatë luftës 1998–1999, u vranë ose u masakruan qindra punëtorë të arsimit. Rreth 400 mësimdhënës, profesorë dhe arsimtarë, ndërsa mbi 50 punëtorë teknikë dhe administrativë të shkollave humbën jetën. Shumë prej tyre ishin dëshmorë; shumë të tjerë ishin pjesëtarë të UÇK-së që patën fatin të mbijetojnë.
Këta njerëz nuk kishin nevojë për një narrativë fetare që t’u atribuohej sakrifica e tyre.
Ata ishin shqiptarë. Ishin qytetarë të Kosovës. Ishin njerëz të këtij vendi.
Prandaj është jashtëzakonisht problematike që sot, për interesa politike, të ndërtohet një narrativë sikur një bashkësi fetare ka qenë një prej shtyllave të luftës çlirimtare.
Kjo nuk është vetëm çështje fjalimi.
Është çështje e kujtesës historike.
Dhe këtu Fatmir Limaj duhet të ketë kujdes.
Sepse fleksibiliteti politik është një gjë. Përulja politike është një gjë tjetër. Por shtrembërimi i historisë për vota është diçka krejt tjetër.
Nëse kërkimi i votës të detyron të komplimentosh nikoqirin, kjo është politikë.
Nëse për ta bërë këtë duhet të ndryshosh historinë e luftës, kjo është humbje e dinjitetit politik dhe historik.
Fatmir Limaj nuk ka nevojë të bëhet pjesë e narrativës së Islamit politik për të respektuar myslimanët e Kosovës.
Mjafton të respektojë qytetarët.
Mjafton të respektojë besimin e secilit.
Dhe mbi të gjitha, mjafton të mos e falsifikojë historinë.