Qëndrim Kryeziu ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke ngritur shqetësimin për atë që e quan shqiptarofobi dhe mungesën e reagimit ndaj saj.
Sipas tij, shqiptarofobia është një fenomen real që për vite është ushqyer nga propaganda sllavo-serbe, ndërsa sot, sipas tij, mbështetet edhe nga fanatizma ideologjikë e fetarë.
“Shqiptarofobia ekziston. Është reale. Dhe për çudi trajtohet sikur të mos ekzistojë fare”, shkruan ai.
Kryeziu thotë se në shoqërinë shqiptare ka reagime të forta për çështje fetare, por jo kur sulmohet identiteti kombëtar.
“Të gjithë reagojnë ndaj njëri-tjetrit. Por askush nuk reagon ndaj shqiptarofobisë”, thekson ai.
Në postimin e tij ai përmend edhe rastet kur, sipas tij, shqiptarët janë ndëshkuar për shfaqjen e simbolit të shqiponjës dykrenare, duke shtuar se “identiteti shqiptar mund të ndëshkohet. Por shqiptarofobia jo”.
Kryeziu shpreh shqetësim edhe për sulmet ndaj figurave historike shqiptare dhe mungesën e reagimit institucional.
“Nëse një popull nuk reagon kur fyhet identiteti i tij, të tjerët do ta bëjnë këtë gjithnjë e më shpesh”, shkruan ai.
Në fund të reagimit, ai bën thirrje për mbrojtjen e identitetit kombëtar mbi dallimet fetare, ideologjike apo politike.
“Shqiptarofobia nuk luftohet me heshtje. As me relativizim. Luftohet me reagim, me vetëdije dhe me mbrojtje të hapur të identitetit shqiptar”, përfundon postimi i tij.