Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se edhe dita e diel do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta në të gjithë vendin.
Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 32 deri në 36 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja dhe veriperëndimi.
IHMK njofton se indeksi UV do të mbetet i lartë, ndaj qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve të mesditës dhe pasdites së hershme.
Sa i përket kushteve biometeorologjike, temperaturat e larta dhe rrezatimi i fortë diellor mund të shkaktojnë lodhje, dehidrim dhe shqetësime, veçanërisht te personat me sëmundje kronike, fëmijët dhe të moshuarit. Rekomandohet konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve, shmangia e aktiviteteve të rënda fizike në ambiente të hapura gjatë mesditës dhe qëndrimi në vende të freskëta.