Lëvizja për Rikthim ka publikuar një reagim publik të adresuar ndaj akademikut Milazim Krasniqi dhe Prokurorisë së Shtetit, ku thekson se përbëhet nga shqiptarë që, sipas saj, janë larguar nga besimi islam me vetëdije të plotë dhe për arsye kulturore, fetare e politike.
Në reagim thuhet se pjesëtarët e kësaj lëvizjeje jetojnë në harmoni me familjet e tyre, ndërsa pretendohet se më herët janë paralajmëruar publikisht përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), si dhe akademiku Milazim Krasniqi, për atë që organizata e cilëson si nxitje të përçarjes dhe dhunës në shoqëri.
Lëvizja deklaron se familjet e anëtarëve të saj “nuk janë pronë e BIK-ut, TIKA-s dhe Diyanetit turk”, duke theksuar se anëtarët e saj e konsiderojnë veten “100% shqiptarë të lirë” dhe se nuk i nënshtrohen, sipas tyre, veprimeve antikombëtare.